Kajro – Kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan, ka thënë dje në takimin e ministrave të Jashtëm të Ligës Arabe në Kajro se njohja e shtetit të Palestinës “nuk është opcion, por obligim”.
Në një fjalim që do të forcojë imazhin e tij si lider rajonal, Erdogan po ashtu kritikoi qëndrimin e Izraelit, duke thënë se “agresiviteti” i politikave të vendit “kërcënon të ardhmen e popullit izraelit”.
“Njohja e Palestinës shtet është mënyra e vetme e drejtë. Ky nuk është një opcion, por një obligim. Me vullnetin e Zotit, deri në fund të këtij muaji, ne do të kemi mundësinë që ta shohim Palestinën me një status shumë ndryshe në Kombet e Bashkuara”, tha Erdogan.
“Ka ardhur koha që të ngrihet flamuri palestinez në OKB. Le ta ngremë flamurin palestinez dhe le të bëhet ai flamur simbol i paqes dhe i drejtësisë në Lindjen e Mesme. Le t’i kontribuojmë sigurimit të kësaj paqeje dhe stabiliteti të merituar në Lindjen e Mesme”.
Shtetet arabe do të insistojnë për sigurimin e anëtarësisë me të drejta të plota për Palestinën në OKB, javën e ardhshme. Palestinezët kanë vendosur të kërkojnë njohje nga OKB-ja për shtetin e tyre, pas viteve të tëra negociatash të dështuara me Izraelin për sigurimin e shtetit të pavarur që duan ta krijojnë në Bregun Perëndimor, Rripin e Gazës dhe Jerusalemin Lindor – rajone këto të pushtuara nga Izraeli gjatë luftës së vitit 1967 në Lindjen e Mesme.
Ndërkohë, shefja e diplomacisë së BE-së, Ketrin Eshton, ka thënë të martën se shtetet anëtare të trupit të përbashkët evropian ende nuk e kanë një qëndrim unik për iniciativën palestineze të njohjes në OKB. Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me presidentin Barack Obama, që bëri thirrje për rikthimin e kufijve të 67-s gjatë një fjalimi të para ca muajve, tash kundërshtojnë veprimin e njëanshëm të palestinezëve në OKB. Kështu, Obama kundërshtoi të martën zyrtarisht iniciativën palestineze.
Wednesday, 14 September 2011 07:35