Vlorë – Shkrimtari vlonjat, Eqerem Canaj botoi romanin “Metastazë në blu”, ku pasqyron dhe reflekton probleme të kohës, duke shënuar edhe përfundimin e ciklit të tetralogjisë së shkrimtarit, ku përfshihen edhe 7 libra të tjerë të kësaj gjinie.
Aktualiteti i ngjarjeve që zhvillohen në këtë roman shfaqet jo vetëm nga problematika, por edhe nga mesazhet që ai përcjell përmes këtij botimi.
Një qytet pa emër, diku në Shqipërinë e pas viteve 1990-të është edhe vendi ku jetojnë dhe ravijëzohen personazhet. Ata janë njerëzit që ndeshim çdo ditë në rrugë, në qytet, jashtë tij, në ekranet e televizioneve, në podium, me dhe pa “background” të spikatur shoqëror, apo më gjerë.
Ata janë protagonistë të gjithçkaje që ndodh, të jetës që pulson dukshmërisht dhe të asaj që rrjedh nën këmbët tona, por që ne nuk arrijmë ose nuk duam ta shohim. Autori na ndihmon ta shohim atë përmes një udhërrëfimi të natyrshëm, të cilin e zbulojmë në 177 faqet e këtij romani.
Zbulojmë metastaza që ngërthejnë të përditshmen tonë, që mishërohen tek njerëz që ndryshe shfaqen dhe ndryshe janë në të vërtetë, tek ata që duket se kanë fatin e shumëkujt në dorë, por që në të vërtetë mbajnë të shtrënguar vetveten.
“Në qytetin V., ngrihet Instituti “Online”,ripërtëritje e “shkollave” tretur nëpër gjasa kohe. Një riorganizim i kamufluar. Dhe perfekt. .Teatri luhet keq. Librat ndër rafte dridhen..”. Mjafton ky pasazh i fshehur diku në rreshtat e librit për të perceptuar vëmendjen e autorit dhe besimin e tij, se shoqëria do të hyjë në rrjedhën e saj të natyrshme.
Duke ju referuar romanit, kritiku Lirim Deda nënvizon mes të tjerash se, “me askërkënd në letërsi këta personazhe s’ngjajnë, ndaj dhe bëmat e tyre janë të tjetërllojta, se janë burimi i metastazave të gjakut”. “Romani është një metaforë tronditëse e një qyteti ku klithmat dalin gjëmimtare .edhe nga shpirti i Ujanës(detit)”, thekson Deda, teksa shton se romani i Eqerem Canajt është një prurje e re në letërsinë e sotme shqipe.
“Botimi i kësaj vepre letrare dëshmon talentin e të shkruarit bukur dhe besim në vetvete për të dhënë kontributin në shërbim të kombit”, thotë prof.dr. Zeqirja Neziri, nga Katedra e Letërsisë Shqipe në Shkup.
Eqerem Canaj, me një përvojë krijuese mbi 35 vjeçare, vazhdon të mbetet ende aktiv në jetën letrare në qytetin e Vlorës e më gjerë. Në arkivën e tij përfshihen mbi 20 botime në prozë, poezi, dramë etj.
Në tetralogjinë e tij spikasin mes të tjerash romanet “Njeriu me nofulla të hekurta”, “Kënga e thyer”, “Ethet e gjakut”, “Disku i artë”, “Qyteti i Rugjinës”, “Kështjella mbi ujanë”, “Zonja mëmë”.
Friday, 02 March 2012 12:05