Lajme Shqip Friday, 21 August 2015 14:32

17 persona kanë mbetur të plagosur pas një përleshje të frikshme në një kamp azilkërkuesish në Gjermani.

Në kampin e refugjatëve në Suhl të Gjermani emigrantët u përleshën em njëri-tjetrin për shkak të një Kurani.

Sipas policisë gjermane një i ri nga Afganistani provokoi të pranishmit duke grisur fletë të Kuranit dhe duke sharë fenë islame. Kaq ka mjaftuar që të shpërthente dhuna, duke shkaktuar 17 të plagosur.

I riu nga Afganistani ka shpëtuar falë ndërhyrjes së forcave policore që ruajnë kampin e refugjatëve.

Veç mbështetësve të të riut agfan me turmën u përleshën edhe forcat e rendit, pasi ndërhyrja e tyre nuk u mirëprit nga refugjatët. Ata qëlluan policinë me gurë e mjete të tjera të forta, duke lënë të plagosur 6 prej tyre, ndërsa 11 të plagosurit janë refugjatë nga të dy palët në konflikt.

Ministri i Emigracionit, Dieter Lauinger tha për mediat se përplasja mes refugjatëve nuk nisi si revoltë për kushtet e jetesës, pasi ambienti ku janë akomoduar është projektuar të strehojë 1200 persona, ndërsa pranoi se edhe 600 të tjerë qëndrojnë aty mbi kapacitetet.

Bodo Ramelow, Kryeministri i landit të Thuringias, ku ndodhi ngjarja tha se përzierja e personave me kombësi të ndryshme natyrshëm do të sjellë përplasje.

“Veprimi i të riut, patjetër që do të ngjallte trazira, pasi pjesa më e madhe e të strehuarve në këtë ambjent janë me prejardhje myslimane”- tha Ramelow.

I riu që grisi fletët e Kuranit është strehuar në rajonin e policisë, pasi mori trajtimin mjekësor. Kohët e fundit në disa kampe refugjatësh janë regjistruar përplasje, kryesisht për shkak të kushteve në të cilat janë akomoduar./mapo