Lajme Shqip Tuesday, 21 July 2015 08:01

Që nga nata e së shtunës kur në afërsi të liqenit të Badovcit janë gjetur një armë kallashnikov, rroba të zeza, maska, dorëza dhe një flamur me mbishkrim arab, Policia e Kosovës ka ngritur dyshime rreth një barke të fundosur në afërsi pendës dhe ka kërkuar angazhimin e zjarrfikësve dhe të zhytësve për të verifikuar nëse në të ka eksplozivë.

Të hënën, ekipi i zjarrfikësve të Prishtinës, së bashku me zhytësit e klubit “Prishtina”, njësitë policore por edhe zyrtarë të ujësjellësit rajonal “Prishtina”, kanë shkuar te liqeni dhe kanë bërë kërkimet. Ajo që rezultoi pas dy orë zhytjeje ishte nxjerrja e një barke të fundosur afër pendës së liqenit, konkretisht tek shtylla e tretë e ndriçimit, e cila rezultoi të jetë e thatë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Konfirmimin për dyshimet se në barkën e fundosur mund të ketë pasur eksploziv e ka dhënë të hënën komandanti i zjarrfikësve në rajonin e Prishtinës, e që ka mbikëqyrur aksionet e kërkimeve, Latif Zeka.

Ai ka bërë të ditur për gazetën se Policia kishte kërkuar që të dërgohet një ekip të shtunën, por meqë zhytësit e klubit “Prishtina” nuk kanë qenë në Kosovë, kërkimet janë zhvendosur për në fillim të kësaj jave