Elbasan – Bashkëpunimi ndërkufitar mes komunës së Tetovës, Gostivarit dhe Bashkisë së Elbasanit në fushën sociale dhe të turizmit, ishte në fokusin e një konference të organizuar mesditën e sotme në ambientet e Hotel “Skampa” në Elbasan.
Konferenca me temë “Njerëzit për njerëzit”, kishte si qëllim ngritjen e një partneriteti të institucionalizuar ndërkufitar Shqipëri-Maqedoni.
Projekti në fjalë, i financuar nga Komisioni Evropian dhe i fituar nga shoqata “Tjetër Vision”, në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar IPA (Instrumenti për Asistencën e Para-aderimit), ka si qëllim partneritetin mes komunave, njësive vendore dhe Universiteteve në tre bashkitë e sipërpërmendura, kryesisht në fushën e turizmit dhe atë sociale.
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, pasi ka vlerësuar bashkëpunimin dhe binjakëzimin që kjo Bashki ka tashmë me Komunën e Tetovës, tha se “përfshirja në këtë projekt të veçantë bashkëpunimi, fituar nga shoqata “Tjetër Vizion”, ku aktorë do të jenë edhe njësitë vendore si edhe Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, do të gjejë mbështetjen e Bashkisë së Elbasanit”.
“Në projekt, veç fushës sociale, është edhe ajo e turizmit, për të cilën ne po punojmë shumë në bashkëpunim me hotelet, të cilët janë pritës të turizmit, duke shoqëruar të gjithë turistët me Polici Bashkiake”, tha Sejdini.
Ndërsa, përfaqësuesi i Komunës së Tetovës, Albert Qazimi, i cili është edhe koordinator i këtij projekti, theksoi se “ky projekt bashkëpunimi mes Bashkisë së Elbasanit dhe Komunës së Tetovës dhe Gostivarit ka si qëllim implementimin e aktiviteteve të ndryshme, kryesisht në fushën e turizmit mes tre bashkive. Gjithashtu, projekti ka si qëllim afrimin e institucioneve në bashkëpunim me OJQ, gjë që do të ndikojë në shtrirjen e këtij projekti në fusha të ndryshme, kryesisht në turizëm.
Ndërkaq, dekani i Fakultetit të Shkencave të Edukimit të Universitetit të Elbasanit, Vilson Kuri, tha se “është shumë e rëndësishme që shqiptarët të marrin pjesë në evropianizimin e tyre nëpërmjet projekteve të tilla”, ndërsa e ka cilësuar shumë me vlerë projektin, i cili, sipas tij, “çon në përgatitjen e studentëve, të cilët janë pjesë e ardhmërisë së këtyre projekteve”.
Wednesday, 25 May 2011 20:25