Lajme Shqip Saturday, 23 April 2011 07:22

Elbasan – Një 25 vjeçar është plagosur me armë zjarri mbrëmjen e djeshme në qytetin e Elbasanit.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Zaranikë”, shumë pranë vendit të quajtur ‘Vendrrotullimi i Luleve’, në dalje të qytetit të Elbasanit.

Burime të Policisë lokale bënë të ditur se “një shtetas ka plagosur me armë zjarri pistoletë, 25 vjeçarin Fatjon Baku, ndërsa ka goditur me sende të forta babain e të aksidentuarit, shtetasin Kadri Baku, 49 vjeç”. Ky i fundit ka tentuar të ndalojë autorin që të qëllojë mbi djalin e tij me pistoletë, por është dëmtuar nga ky i fundit me sende të forta (gurë).

Policia, pas hetimeve paraprake, ka identifikuar autorin e krimit dhe po punon për kapjen e tij.

Mësohet se shkak i plagosjes ka qenë një borxh i vjetër që i plagosuri dhe babai i tij i kishin autorit të ngjarjes.