Lajme Shqip Friday, 05 August 2011 12:11

Elbasan – Policia e Elbasani arrestoi  të premten dy persona, të cilët duke punuar për izolimin e taracës së Hotel “GURI”,  që ndodhet ngjitur me teatrin “Skampa”, dyshohet se kanë shkaktuar rënien e zjarrit në ndërtesën e këtij institucioni .

Zëdhënësja e Policisë Valbona Begu tha se “grupi hetimor i cili kreu veprimet proçeduriale, bëri të mundur zbardhjen e ngjarjes dhe arrestimin në flagrancë të Ali Meçe, 55 vjeç si edhe Gentian Meçe, 36 vjeç, që të dy me banim në lagjen ” Skënderbej”.

Nga kqyrja e vendit të ngjarjes rezultoi se si pasojë  e rënies së zjarrit është djegur plotësisht salla e Teatrit “Skampa”, si dhe pjesërisht Hotel  “Guri”, ku dëmi arrin në një vlerë të konsiderueshme.

Teatri “Skampa” në qytetin e Elbasanit është ndërtuar në vitin 1938 dhe në vitin 1962 ai do të ktheje në një teatër aktiv, me një kapacitet prej 292 vendesh. Akustika e këtij teatri është nga më të mirat në Shqipëri.

Në historinë e tij 60 vjeçare numërohen rreth 300 premiera të autorëve shqiptarë dhe të huaj. Nga ky teatër kanë dalë aktorë të shquar të laureuar me tituj të lartë si ” Artist i Popullit”, ” Artist i merituar” ” Aleksandër Moisiu’, etj.

Aktorët e parë profesionistë u morën nga grupet teatrore amatore. Pas shumë pjesëve me një akt trupa vuri në skemë dramën ” Shtatë Shaljanët” dhe komedinë ” Njeriu që pa vdekjen me sy” të dramaturgut rumun Viktor Eftimiu.