Lajme Shqip Wednesday, 14 March 2012 08:50

Elbasan – Atmosfera e natës së verës nisi që mbrëmë, me perëndimin e diellit për të përfunduar në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Sheshi “Gensher” i qytetit ishte mbushur plot me qytetarë elbasanas, të cilët kishin lënë shtëpitë e tyre rreth orës 19.00 të mbrëmjes.

Grupi “Elita 5”, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore, këngëtarja Englantina Toska, gjallëruan Natën e Verës nën tingujt e muzikës dhe valleve popullore të trevave të ndryshme.

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini,duke u ngjitur në skenën e ngritur me këtë rast, uroi qytetarët e Elbasanit si edhe mysafirët e ardhur nga qytete të ndryshme për të festuar këtë ditë të shënuar në qytetin e luleve.

Ndërkohë, pas koncertit të madh në qëndër të qytetit, shumë qytetarë iu drejtuan lokaleve ku kanë qenë të ftuar këngëtarë me zë si Petrit Lulo, Greta Koçi, etj.

“Dita e Verës” është festë e përtëritjes së natyrës, e vazhdimësisë së jetës, me prejardhje pagane. Në Elbasan është bërë festë popullore e mbarësisë familjare, e festuar nga të gjithë pa dallim. Festohet më 14 Mars, pikërisht kur mendohet se ka filluar mbirja e bimësisë tradicionale si karakaftet dhe manushaqet.