Prishtinë – Nisin dyshimet për spiunë brenda komandës qendrore të KFOR-it. Dekonspirimi i aksionit të mëngjesit të sotëm në Rudare dhe ai i dy ditëve më parë në Jegenicë, kanë hapur dyshimet për spiunë të serbëve brenda forcës shumëkombëshe në Kosovë.
Burime mirë të konfirmuara të Portalit LajmeShqip.com, brenda komandës qendrore të KFOR-it, në Prishtinë, kanë bërë të ditur se në komandën e forcës shumëkombëshe kanë nisur dyshimet për ekzistencë spiunësh ose, së paku, të një spiuni brenda saj.
Kanë qenë disa dekonspirime të aksioneve kyçe të KFOR-it në veri të Kosovës, ato që kanë mbjellë dyshimin për spiunë brenda tyre, të cilët kanë zbuluar sekretet e aksioneve dhe planeve të veprimit.
Shembulli më i fundit, sipas burimit, ka qenë tubimi i papritur i qindra serbëve në Rudare, të cilët bllokuan dhe pamundësuan operacionin e KFOR-it, në orët e para të mëngjesit të sotëm, për heqjen e barrikadës në atë fshat, gjë që e ka befasuar edhe vetë komandën e KFOR-it.
Një aksion tjetër i dekonspiruar, në po të njëjtën mënyrë, konsiderohet ai i dy ditëve më parë, në heqjen e barrikadës në Jegenicë, kur qindra serbë u grumbulluan te barrikada, derisa KFOR nisi operacionin për heqjen e saj.
Burimi i portalit ka saktësuar se këto kanë qenë plane serioze dhe shumë sekrete të komandës së KFOR-it, andaj dekonspirimi i tyre ka hapur dyshimet për rreziqe të tjera që mund të shfaqen gjatë operimeve të KFOR-it në veri të Kosovës, si vënia e pritave eventuale dhe ndonjë komplot tjetër që do t arrezikonte papritmas dhe befasueshëm jetën e ushtarëve të tij, nga ana e ekstremistëve dhe grupeve kriminale serbe.
Burimi ka shtuar se KFOR po vepron intensivisht për gjetjen e spiunit dhe identifikimin e kanalit të rrjedhës së fshehtë të inofrmacioneve për planet e tij (LajmeShqip.com)
Saturday, 22 October 2011 15:32