Lajme Shqip Sunday, 30 October 2011 10:15

Prishtinë – Fazli Sejdiu nuk kishte qëllim ta vriste kryeministrin kosovar Hashim Thaçi por të vidhte në shtëpinë e tij në lagjen “Arbëria” më 2008. Një prokuror i EULEX-it ka rrëzuar aktakuzën e ngritur dy vjet më parë nga një koleg i tij kosovar se Sejdiu që kishte shumë raste me precedent penal si përdorues drogash duke hequr akuzat për vrasje të rëndë në tentativë të z. Hashim Thaçi dhe akuzën tjetër për armë.

Portali LajmeShqip.com ka siguruar aktakuzën e përmirësuar që mbanë datën 26 tetor 2011 e cila nuk i ka përfshirë akuzat e mëhershme. EULEX-i ka hequr dorë nga akuzimi edhe i tre personave tjerë. Alban Gecit, Kushtrim Gecit të cilët janë djemtë e Sabit Gecit dhe Orges Prelvukajt, vëlla i reperit kosovar që është edhe këshilltar i ministrit të Kulturës kosovare, Genc Prelvukaj nuk akuzohen më për dhënie të ndihmës. Prokurori i EULEX-i i ka liruar ata nga akuza me arsyetimin se nuk ka prova se kanë kryer këtë vepër penale. 

I riu kosovar, Fazli Sejdiu kishte shkuar natën vonë në këtë shtëpi për të vjedhur pa e ditur se ajo ishte shtëpia e Hashim Thaçit. Ai ishte plagosur nga roja dhe për këtë ishte mbajtur në paraburgim 2 muaj.

Prokurori ka përmendur në aktakuzën që e ka siguruar portali se Alban Geci po ndiqet penalisht për vepra tjera dhe ka 12 raste penale të regjistruara deri tash.

Më 6 qershor 2008 rreth orës 23 e 15 në lagjen “Arbëria” i pandehuri Fazli Sejdiu ishte akuzuar se kishte dashur ta vriste Thaçin. Por këtë rrëfim nuk e ka besuar bazuar në prova prokurori i EULEX-it.

“Më 6 qershor 2008 rreth orës 23 e 15 në lagjen “Arbëria” i pandehuri Fazli Sejdiu me qëllim të marrjes së pasurisë së luajtshme të z. Hashim Thaçi pasi ngjitet në ballkon tentoi të hyjë në shtëpi përmes një dritareje të hapur. Para se të arrinte të hyjë në shtëpi ai ishte vërejtur nga rojat e sigurimit i cili i urdhëroi atij që të ndalet. Duke injoruar urdhrin i pandehuri tentoi të ikte dhe si pasojë ai ishte qëlluar në krah nga roja e sigurimit. Pas kësaj i pandehuri iku nga vendi i ngjarjes”, thuhet shprehimisht në aktakuzë.

“Më herët i pandehuri ishte paditur për veprën penale të vrasjes së rëndë dhe veprën penale posedim apo përdorim i paautorizuar i armëve. Meqenëse nuk janë gjetur armë që i përkisnin apo në posedim të të pandehurit, meqenëse ekzaminimi mjekoligjor tek i pandehuri dëshmoi se nuk janë gjetur grimca të mbetjeve në duart e tij, meqenëse se vetëm katër gëzhoja janë gjetur në vendin e ngjarjes që u dëshmua të jenë gjuajtur nga një pistoletë modeli HS-2000 që i përkiste rojës së sigurimit, meqenëse vetëm një gëzhojë tjetër është gjetur në vendin e ngjarjes që u dëshmia të jetë gjuajtur nga një pistoletë HS-95 që i përkiste vëllait të palës së dëmtuar, nuk ka dëshmi që e përkrahin aktakuzën fillestare kundër të të pandehurit të parë po në anën tjetër ekziston dëshmi e mjaftueshme për ta fajësuar për vjedhje”, thuhet pastaj.

Ngjarja e asaj nate kishte tronditur Kosovën kur zëvendësi i Thaçit kishte dalë në një konferencë për shtyp për të thënë se kryeministri kosovar i kishte shpëtuar një atentati politik duke aluduar tek lideri i opozitës Ramush Haradinaj. (LajmeShqip.com)

{fotogaleria}

{/fotogaleria}