Lajme Shqip Wednesday, 27 June 2012 07:00

Strazburg – Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, duket se nuk është i mirëinformuar në lidhje me kompetencat e Këshillit të Ministrave të Këshillit të Europës, organit vendimarrës të Këshillit të Europës, kryetare e rradhës të së cilit është vetë Shqipëria.

Gjatë seancës së të hënës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, një anëtare e Delegacionit të Armenisë në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, Naira Zohrabyan i bëri një pyetje kryeministrit shqiptar Sali Berisha, ku krahasoi Kosovën me konfliktin Nagorno-Karabakh.

“Edhe pse Serbia nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ajo ka vendosur dialog të drejtpërdrejtë me Kosovën. Si kryeministër i Shqipërisë, a keni ndërment të bëni ndonjë hap që Azerbaxhani të vendosë dialog të drejtpërdrejtë me autoritetet e Nagorno-Karabakh?” –e pyeti Zohrabyan kryeministrin Berisha.

Natyrshëm, kryeministri i Shqipërisë evitoi përgjigje të drejtpërdrejtë dhe u përgjigj se do të veprojë në përputhje me vendimet e Këshillit të Ministrave të Këshillit të Europës në lidhje me këtë çështje. Por mesa duket, kryeministri shqiptar nuk është edhe aq i informuar për kompetencat e këtij organi. Dhe në fakt këtë e pohoi vetë përgjigjja e tij, pasi Këshilli i Ministrave të Këshillit të Europës, kryesimin e së cilës ka aktualisht Shqipëria nuk ka kompetencë për të marrë vendime lidhur me çështjen e Nagorno-Karabakh.

“Këshilltarët pranë kryeministrit të Shqipërisë e këshilluan se çfarë të thoshte. Por ata nuk e dinë se Këshilli i Ministrave të Këshillit të Europës nuk ka kompetencë për të marrë vendime lidhur me çështje e Nagorno-Karabakh” –tha Naira Zohrabyan për agjencinë armene të lajmeve Neës-NEËS.am.

Nagorno-Karabakh është një rajon në Kaukazin Jugor, kryesisht malor dhe me pyje. Pjesa më e madhe e rajonit qeveriset nga Republika e Nagorno-Karabakh, një shtet de fakto i pavarur por ndryshe nga Kosova, i panjohur ndërkombëtarisht dhe breda ish Republikës Sovjetike të Azerbaxhanit. Territory njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbaxhanit, që në fakt nuk ka ushtruar pushtetin në pjesën më të madhe të rajonit që prej vitit 1991. Dhe që nga viti 1994, pas përfudimit të luftës, përfaqësues të qeverive të Armenisë dhe Azerbaxhanit kanë zhvilluar bisedime paqeje me ndërmjetësimin e OSBE-së për ti dhënë një zgjidhje statusit të këtij rajoni. (LajmeShqip.com)