Lajme Shqip Monday, 12 December 2011 12:40

Tiranë – Bankat në vend kalojnë me sukses testin e rezistencës të përgatitur nga Banka e Shqipërisë.

Sipas një ushtrimi prove që Banka e Shqipërisë realizoi mbi sistemin bankar, mbështetur në një skenar të vështirë të improvizuar për vitin 2012, institutet në vend dolën të suksesshme.

Përmes një njoftimi për shtyp BSH-ja bën të ditur se, testimi i kryer mbështetej në hipotezën e një zhvlerësimi të lekut me 20%, rritje ekonomike jo më shumë se 2% dhe një tepricë të kredisë 9%, ku doli se bankat i shpëtojnë një falimenti të mundshëm. Ushtrimit të rezistencës sipas skenarit më të keq i rezistuan pothuajse të gjitha bankat, duke dhënë një garanci edhe për vitin 2012 për veprimtarinë e sistemit bankar në vend.

Nëpërmjet testit të rezistencës me vështrim nga e ardhmja, Banka e Shqipërisë vëren se sistemi financiar dhe mjaftueshmëria e kapitalit për sektorin bankar janë stabël për një hark kohor deri në fund të vitit 2012.

Banka e Shqipërisë ka llogaritur një probabilitet të përballjes me vlera ekstreme, larg mesatares, të raportit të kredive me probleme, i cili është më i lartë në skenarin e rënduar krahasuar me skenarin bazë. Në këtë skenar është llogaritur ndikimi i portofolit të kredive me probleme në madhësinë e kapitalit dhe të aktiveve me rrezik për secilën bankë dhe për sektorin bankar në tërësi.

“Në përfundim, ushtrimi i provës së rezistencës tregon se në tërësi, sektori bankar paraqitet i qëndrueshëm ndaj goditjeve të forta makroekonomike, të cilat ndikojnë në përkeqësimin e portofolave të kredive të bankave dhe për pasojë në rritjen e shpenzimeve për provigjione, rënien e rezultatit financiar dhe rënien e pozicionit të kapitalizimit të veprimtarisë”, – thuhet në konkluzionet e Banka së Shqipërisë pas rezultateve të testit të rezistencës. Instituti qëndror financiar i vendit monitoron me kujdes sistemin bankar duke marrë masat e nevojshme në të gjitha situatat.

Si rezultat i këtyre masave, sektori bankar do të mbetet i qëndrueshëm dhe do të krijojë kushtet për rritjen e kontributit të tij në zhvillimin ekonomik të vendit.