Lajme Shqip Saturday, 17 December 2011 11:50

Tiranë – Bordi i Komisionerëve në Entin Rregullator të Energjisë (ERE) vendosi të enjten mosrritjen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë dhe bizneset e vogla për vitet 2012-2014, ndërsa duke nisur nga 1 janari 2012 konsumatorët do të kenë një kontratë të re për furnizimin me energji elektrike me kompaninë CEZ.

Aktualisht, çmimi i energjisë për familjarët është 7.7 L/kWh deri në 300 kwh/muaj dhe 13.5 L/kWh mbi këtë kuotë dhe këto çmime do të vijojnë në tre vitet në vijim.

Bordi nuk pranoi kërkesën e CEZ-it për rritje të tarifës me 4,6% më shumë se 2011-ta. Bordi i ERE-s vendosi që KESH t’ja shesë CEZ-it energjinë me 2,83 lekë/kwh, nga 5,2 lekë/kwh e kërkuar, ndërsa tarifa aktuale është 0.63 L/kWh deri në 31 dhjetor 2012.

Për OST, Bordi vendosi për vitet 2012-2014 tarifën prej 0,65 lekë/kwh nga 0,6 lekë/kwh që është aktualisht. Vetë OST kërkoi rritjen e tarifës mesatare të shërbimit të transmetimit të energjisë elektrike me 0.73 lekë/kwh.

Të enjten Kuvendi miratoi në seancë plenare me 70 vota pro, 61 kundër dhe 3 abstenime dekretin e Presidentit të Republikës që propozon kandidaturën e Bujar Leskajt për kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH). Bujar Leskaj, deputet i Partisë Demokatike në legjislaturën e kaluar, ka mbajtur postin e ministrit të Kulturës në vitet 2005-2009. Dekretimi i emrit të Bujar Lesksajt si kreu i ri i KLSH-së u bë nga Presidenti Topi më 17 nëntor, pas rrëzimit të Sali Shehut, i dekretuar më parë si kandidat për këtë post.

Po të enjten Kuvendi, pas shumë debatesh, miratoi me 72 vota pro dhe 62 kundër, p/ligjin “Për përcaktimin e formës dhe strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë ‘Albpetrol’ sh.a. Patos”.

Diskutimi i zgjatur për rreth katër orë i këtij pr/ligji u shoqërua me debate të ashpra mes maxhorancës dhe opozitës, pasi kjo e fundit e cilësoi procesin “jotransparent dhe korruptiv”.

Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Nasip Naço, duke analizuar situatën aktuale të kompanisë, kërkoi votën pro në favor të privatizimit të saj, e cila, sipas tij, “po i nënshtrohet një procesi transparent”.

Komuniteti i biznesit i kërkoi të enjten qeverisë shtyrjen e afatit me të paktën 6 muaj të implementimit të procesit të amnistisë fiskale.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, si dhe ai i Shoqatës së Ndërtuesve, Avenir Kika, gjatë një konference për shtyp, bënë të ditur se shtyrja e afatit të zbatimit të amnistisë fiskale do të çonte në një përmbushje të procesit.

“Në dy muajt e fundit është vënë re një fluks i madh sipërmarrësish që po aplikojnë në të gjitha sportelet tatimore dhe hipotekore sidomos për rivlerësimin e kapitaleve fikse”, theksoi Nikolin Jaka.

Kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve, Avenir Kika, duke theksuar faktin se ligji ka patur paqartësi për komunitetin e biznesit, tha se në dy muajt e fundit ka patur një rritje të fluksit të ndërtuesve për të rivlerësuar pallatet pranë hipotekës. Janë rreth 100 pallate ose rreth 1000 apartamente që do t’i nënshtrohen procesit të rivlerësimit. “Vonesa e krijuar për legalizimin e aseteve pranë zyrave të regjistrimit erdhi nga moskuptimi i ligjit nga publiku, por edhe nga ana e sipërmarrjeve. Në zyrën e regjistrimit të Tiranës ka një rekord kërkesash”, deklaroi Kika.

Ndërsa të premten kjo kërkesë iu drejtua qeverisë edhe nga kreu i KASH-it, Enver Ferizaj dhe ai i Konfindustrisë Shqiptare, Hajredin Fratari, të cilët përmes një deklarate për shtyp, në emër të bizneseve që përfaqësojnë, kërkuan shtyrjen me 6 muaj të afatit të zbatimit të amnistisë fiskale dhe legalizimit të aseteve.