Kajro – Sipas opozitës, me këtë dekret, Morsi u vetëshpall “faraon” dhe goditi rëndë ligjet dhe kushtetutën e vendit.
“Ky vendim është një goditje për demokracinë. Ne u bëjmë thirrje të gjithë egjiptianëve të dalin në të gjitha sheshet dhe rrugët e vendit për të protestuar kundër këtij dekreti”, deklaroi kreu i sindikatës së juristëve, Sameh Ashour përkrah të cilit qendronin dy udhëheqësit e opozitës, Mohamed ElBaradei dhe Amr Moussa.
Dekreti i lëshuar së fundmi citon se vendimet e presidentit nuk mund të rrëzohen nga asnjë autoritet tjetër, përfshirë këtu edhe Gjykatën Supreme apo të tjera organe të lartë të drejtësisë që mbrojnë Kushtetutën e vendit.
Mbështetësit e presidentit, që u mblodhën ditën e enjte para Gjykatës Supreme në Kajro për të festuar dekretin, thonë se lëvizja është mëse e nevojshme për të mbrojtur revolucionin egjiptian.
Pak muaj më parë, një vendim i dekretit të presidentit Morsi që shkarkonte Prokurorin e Përgjithshëm të vendit u cilësua si një lëvizje anti-kushtetuese nga Gjykata Supreme në Egjipt, por me dekretin e ri, jo vetëm që asnjë institucion tjetër nuk do të mund të hedhë poshtë vendimet e presidentit, por ato bëhen edhe të padiskutueshme.(LajmeShqip.com)
Friday, 23 November 2012 11:49