Mbrëmë në kafe/librarinë Dit’ e Nat’ u promovua kënga dhe klipi debutues i kantautores së re prishtinase Edona Vatoci me titull ‘Hala’.
Edona i shkruan vetë këngët e saj, ndërsa në produkcion bashkëpunon me anëtarët e grupit Oborri (Arbër Salihu dhe Tomor Kuci) dhe me Genc Salihun, në studion e përbashkët Shyt Mareci që e ndajnë një grup kantautorësh dhe muzikantësh në Prishtinë.
E vecanta e këtij projekti është se, përvec këngës, edhe klipi u realizua nga një gjeneratë krejt e re artistësh kosovarë. Skenari dhe regjia e klipit është bërë nga Noar Sahiti, xhirimi dhe fotografia nga Dritëro Mehmetaj, ndërsa montazha nga Lum Citaku. Për veshjen e Edonës u kujdes dizajnerja e njohur Venera Mustafa, ndërsa për grimin Mjellma Doli.
Edona Vatoci u bë e njohur për publikun në The Voice of Albania 2, ku bëri pjesë në ekipin e Elton Dedës. Pas kësaj, publiku e ka pasur rastin ta dëgjojë nëpër lokale të Prishtinës dhe festivale e organizime kulturore që janë zhvilluar kohëve të fundit në Kosovë. ‘PR Sessions’, një seri koncertesh kantautoriale ku morën pjesë disa nga eksponentët kryesorë të gjeneratës së re të kantautorëve tanë, ishte hera e parë kur Edona solli para publikut një koncert të plotë me këngë origjinale që zgjoi interesim të madh te komuniteti artistik dhe publiku prishtinas. Ajo planifikon që në 2016 ta realizojë një album me këngë origjinale.
Thursday, 15 October 2015 16:42