Prishtinë – Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje ndërmorën sot para ndërtesës së Qeverisë, aksionin simbolik të radhës.
Zv/kryeministres Edita Tahiri i kanë ndarë diplomën e “Universitetit të Hajnisë dhe të kompromiseve me Serbinë”.
Sipas Aktivistëve të Vetëvendosjes, zv/kryeministrja Edita Tahiri është diplomuar me notën 10-të në lëndën “Negociatat dhe koncesionet marramendëse me Serbinë”.
Aktivisti Frashër Krasniqi tha se qeveritarët dhe pushtetarët e Kosovës, përpos që janë të shitur dhe korruptuar, ata janë edhe të paditur.
“Ajo, me rezultat maksimal, me notën 10, ka mbërri ta kalojë kursin e negociatave dhe koncesioneve marramendëse me Serbinë. Edita Tahiri, së bashku kryeministrin Hashim Thaçi, kanë treguar zell të pashoq në përmbushjen e kërkesave të shtetit i cili për çdo ditë e cenon sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Krasniqi.
Sipas tij, “vijuesit e Universitetit të Hajnisë dhe të Kompromiseve me Serbinë, mësohen se si të gënjejnë para qytetarëve të Kosovës”.
Krasniqi tha se “pushtetarët nuk mund të hynin ne negociata sikur të mos ishin të korruptuar”. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 20 July 2011 14:06