Bruksel – Është shtyrë për sot takimi i djeshëm në Bruksel, i raundit të shtatë të dialogut teknik midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, i paraparë të zhvillohet gjatë dy ditëve.
“Ne përfunduam një takim me përfaqësuesit e BE-së dhe të SHBA-ve, përkatësisht z. Cooper dhe z. Reeker, të cilët na njoftuan se delegacioni i Serbisë është vonuar në takim, kështu që përfundimi i përbashkët ishte që takimi të shtyhet për nesër në mëngjes”, deklaroi mbrëmë në Bruksel zv/kryeministrja Tahiri.
“Ne u pajtuam me këtë çështje, por theksuam se krahas axhendës teknike që do ta kemi për katër çështjet e diskutimit, theksi ynë si qeveri e Republikës së Kosovës bie në çështjet e ngecjeve në implementimin e marrëveshjeve”, tha ajo.
“Ne si qeveri kemi qenë konstruktivë dhe vazhdojmë të jemi si për arritjen e marrëveshjeve, si për implementim, prandaj kërkojmë që kjo çështje të adresohet seriozisht dhe zyrtarisht nga ndërmjetësi i Bashkimit Evropian në mënyrë që të vlerësohen performancat dhe Kosova të fitojë progres drejt BE-së”, theksoi Tahiri.
Sipas burimeve zyrtare të qeverisë së Kosovës, në këtë raund do të bisedohet për katër çështje: telekomunikacioni, energjia, bashkëpunimi rajonal, si dhe ngecjet e implementimit të marrëveshjeve të arritura deri më tani në këtë dialog.
Qeveria e Republikës së Kosovës bënte të ditur dje se në kuadër të përgatitjeve për këtë takim ka shprehur shqetësimet zyrtare për ngecjet e të gjitha marrëveshjeve e veçanërisht për shkeljen e marrëveshjes për tregtinë e lirë nga ana e Serbisë, që ndërkohë Qeveria e Kosovës po e zbaton që nga 16 shtatori.
Ndërkaq, për shkak të ngecjeve të zbatimit të të gjitha marrëveshjeve, Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga ndërmjetësuesi Cooper që të bëhet një vlerësim zyrtar për çështjen e ngecjeve në implementimin e marrëveshjeve, pra të vlerësohen përformancat e te dy palëve gjatë gjithë procesit të dialogut, si dhe ka kërkuar që konstruktiviteti i Qeverisë i dëshmuar gjatë gjithë bisedimeve të reflektojë në progresin e Kosovës drejt integrimit në BE.
Po ashtu, Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për dialogun, por konsideron se zbatimi i marrëveshjeve është çelës për suksesin e dialogut.
Wednesday, 28 September 2011 08:18