Lajme Shqip Wednesday, 11 December 2013 12:34

Pas rekordmenit për korrupsion Arben Imami, Ridvan Bode pritet të jetë ministri i dytë i Sali Berishës, i cili do të përballet me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe të korrupsionit. Ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, është akuzuar me fakte dhe prova për fshehjen e 700 milionë USD borxh publik si dhe për falsifikim të të dhënave fiskale. Ridvan Bode njihet gjithashtu si bashkëpunëtori më i ngushtë i Sali Berishës në të gjitha krimet ekonomike, gjatë tetë viteve të sundimit të tij. Por, emri i Ridvan Bodes lidhet drejtpërdrejt edhe me mafien e bixhozit të paligjshëm në Shqipëri. Ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, është përgjegjësi kryesor për lulëzimin e bixhozit informal në Shqipëri, ku buxheti i shtetit ka humbur qindra milionë euro, para të cilat kanë shkuar në xhepat e një klani të caktuar. Një raport i posaçëm i Kontrollit të Lartë të Shtetit, për bixhozin e paligjshëm në Shqipëri, kompromenton rëndë Ridvan Boden, në këtë histori të zezë korrupsioni dhe paligjshmërie. Raporti përfundimtar i auditimit të ushtruar në Njësinë e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (NJMLF), Tiranë, me objekt “Mbi vlerësimin e veprimtarisë ekonomiko-financiare dhe kryerjen e funksioneve të NJMLF-së, bazuar në kërkesat e ligjit nr. 10033, datë 11.12.2008 “Për Lojërat e Fatit” me ndryshimet”, për periudhën 01.01.2010–31.12.2012, konstaton aktivitetin e paligjshëm të kazinove, ndërsa liston disa rekomandime për Ministrinë e Financave për të disiplinuar këtë aktivitet. Por, ndryshe nga ç’ka rekomanduar Kontrolli i Lartë i Shtetit, ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, është kthyer në mburojë të bixhozit të paligjshëm.  “I rekomandojmë Ministrisë së Financave që të ngrihet një task–forcë e veçantë për verifikimin në terren të problemeve që kanë të bëjnë me informalitetin në këtë sektor, në pamundësi të kryerjes në terren të këtij kontrolli nga ana e KLSH-së. Për të gjitha makineritë elektronike të kazinove elektronike, të kërkohet Raport Testimi apo ndryshe, nga “trupa të akredituara”, në zbatim të nenit 10 të ligjit 10033, dt. 11.12.1008 me ndryshimet”, thuhet në raport. Bode dhe ish drejtori i Përgjithshëm i NJMLF. Besnik Çoba, nuk kanë marrë masa as për të vjelë gjobat ndaj subjekteve, siç edhe rekomandon raporti.

Shkeljet

Në aspektin praktik të veprimtarisë së NJMLF-së, raporti konstaton se për raste të veçanta, në subjekte të pajisur me leje për ushtrim veprimtarie, gjenden aparate elektronike në punë të
palicensuar, për të cilët ligji parashikon ndëshkimin me gjobë të subjektit dhe sekuestrimin e tyre. “Mendojmë të bëhet një përmirësim në ligj, me qëllim që subjekti krahas penalizimit me
gjobë, para sekuestrimit të detyrohet që brenda një periudhe 15 ditore nga data e konstatimit dhe penalizimit, t’i jepet mundësia e ndërmjetme për t`i çertifikuar këto aparate elektronike dhe t’i deklarojë për efekt pagese që në muajin në të cilin konstatohet shkelja. Kjo masë mendojmë se është kontributore për rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit, pasi i jep mundësi subjektit që, pas kësaj, të vazhdojë të punojë në përputhje me kërkesat e dispozitave ligjore. Pas sa më sipër, të vijohet me masa të tjera që parashikon ky ligj (sekuestrimi)”, thuhet në raport.

 

Hapësirat ligjore  

 

Nga auditimi i zbatimit të ligjit nr. 10033, datë 11.12.2008 “Për lojërat e fatit” me ndryshimet, ka rezultuar se nuk ka të përcaktuar nivelin e burimeve financiare të domosdoshme për
minimumin ligjor (në monedhë vendase) që subjekti duhet të disponojë për fillimin e veprimtarisë për lojëra fati. “Mbi bazën e këtij konstatimi, rekomandojmë ndryshimin ligjor si më poshtë: Në ligjin nr.10033,datë 11.12.2008 “Për lojërat e fatit”, me ndryshimet në nenet 19/d, 23/d dhe 41/d, të bëhet ndryshimi: Është: “Të deklarojë burime të mjaftueshme financiare për të organizuar lojëra fati”. Bëhet: “Për t’u pajisur me leje për ushtrim veprimtarie për lojëra fati, kërkuesi, të deklarojë në NJMLF, me dokument origjinal nga institucion financiar në Republikën e Shqipërisë, burime të mjaftueshme financiare në monedhë vendase, jo më pak se: a) Për kategorinë e lojërave të fatit “Baste Sportive”, 5,000,000 lekë; b) Për kategorinë e lojërave të fatit “Kazino Elektronike”, 10,000,000 lekë; c) Për kategorinë e lojërave të fatit “Bingo”, 3,000,000 lekë”, thuhet në raport.

 

Rekomandimet e KLSH për të ndalur bixhozin e paligjshëm

 

1. I rekomandojmë Ministrisë së Financave që të ngrihet një task–forcë e veçantë për verifikimin në terren të problemeve që kanë të bëjnë me informalitetin në këtë sektor, në pamundësi të
kryerjes në terren të këtij kontrolli nga ana e KLSH-së.

2. Për të gjitha makineritë elektronike të kazinove elektronike, të kërkohet Raport Testimi apo ndryshe, nga “trupa të akredituara”, në zbatim të nenit 10 të ligjit 10033, dt. 11.12.1008 me
ndryshimet.

3. Të kërkohet zgjidhje me akt ligjor apo nënligjor, për moslikujdimin e gjobave, për të mos u kthyer aplikimi i tyre në një formalitet i cili nuk kontribuon në qëllimin për të cilin ato vendosen
(përmirësimin e punës në dobi të rritjes së të ardhurave në buxhetin e shtetit, nëpërmjet zbatimit korrekt të tërësisë së kërkesave të ligjit) dhe pse jo denatyrojnë dhe autoritetin e institucionit.

4. Të saktësohet e dokumentuar, kalimi i shënimeve të Drejtorit të NJMLF-së mbi dokumentacion si “Raport” apo “Memo” të një sektori për ndjekje e veprim nga sektorë të tjerë.

5. Financa, si person/a dhe veprimtari, të mos trajtohet si pjesë e Sektorit të Shërbimeve, por si një pjesë e rëndësishme e veprimtarisë së NJMLF-së, që duhet të ketë varësi të drejtpërdrejtë nga Titullari i Institucionit.

6. Nga NJMLF të aplikohen penalitete, dhe të ndiqet arkëtimi i tyre, në masën 500,000 lekë, për mospagesën e detyrimit 0,5% të xhiros vjetore, bazuar në nenin 12 pika 4 dhe nenin 47 pika 1, të ligjit nr. 10033, datë 11.12.2008 me ndryshimet, për secilin nga subjektet, sipas periudhave ushtrimore.

7. Përmirësimi ligjor që rekomandojmë, mendojmë të pasqyrohet në nenin 47 “Kundravajtjet administrative” pika 4 e cila është: “Inspektori i NJMLF-së, që vëren shkelje, harton procesverbalin për vendosjen e gjobës, të cilin ia komunikon organizatorit të lojës”; Bëhet: “Inspektori i NJMLF-së, që vëren shkelje, harton procesverbalin për vendosjen e gjobës, të cilin ia komunikon organizatorit të lojës. Për rastet kur në subjekte të pajisur me leje për zhvillim veprimtarie për lojëra fati gjenden aparate elektronike të pa licensuar, subjektit i jepen 15 ditë kohë të bëjë licensimin e tyre dhe t’i deklarojë për efekte pagese menjëherë brenda muajit në të cilën konstatohet shkelja.

8. Të ndiqen procedurat ligjore për arkëtimin e detyrimeve të papaguara për 0.5% të xhiros apo minimumit ligjor, për subjektet e mëposhtme: Për vitin 2010: Për 4 (katër) subjekte: … për 250,000 lekë, subjekti … për 333,333 lekë,… 1,200,000 lekë si dhe subjekti … për 375,000 lekë (nuk kanë dorëzuar bilanc). Shuma e detyrimit sipas minimumit ligjor të munguar llogaritet 2,158,333 lekë. Të kërkohet për arkëtim, detyrimi i llogaritur dhe i pa likuiduar për vitin 2010 për 1 Subjekt, i cili sipas minimumit ligjor është 250,000 lekë (300,000/12*10), në përputhje me datën e pajisjes me leje për ushtrim veprimtarie lojëra fati, nga NJMLF-ja.  /sotnews/