Nëse Seal foli për ndarjen e tyre menjëherë pasi lajmi u bë publik, Heidi kishte heshtur deri tani. Modelja gjermane më në fund ka folur për martesën e saj për gazetën ELLE, për numrin e muajit prill. 38-vjeçarja e ka krahasuar veten me një uragan.
“Më duket sikur jam në qendër të një uragani. Goditja të vjen andej nga nuk e pret”, thotë Klum. Ajo pranon se pavarësisht se martesa e saj me Seal dukej si një përrallë, në fakt lidhja e tyre ishte plot me probleme, të cilat ata janë munduar që t’i mbajnë sekret.
“Nuk mund ta ndash me mbarë botën atë çfarë të ndodh në jetë private. Ndan me publikun anën më të bukur, megjithatë unë nuk dua që të merrem gjithë kohës me këtë ngjarje. Dua të ec përpara me jetën time, me familjen time dhe me biznesin tim. Pavarësisht se janë thënë shumë gjëra për Seal dhe për mua, unë nuk do të komentoj asgjë. Shumëkush mund ta ketë kuptuar që situata jonë nuk ka qenë edhe aq e lehtë. Unë nuk dua të flas as pozitivisht dhe as negativisht për problemet tona. Këto janë gjëra që i përjeton çdo çift, vetëm se kur fatkeqësisht je personazh publik, problemet janë më të vështira për t’i kapërcyer. Seal është një burrë i rritur dhe nuk është e nevojshme që unë t’i them atij çfarë të bëj dhe çfarë të mos bëj “, ka thënë Klum.
Çifti ka katër fëmijë dhe Klum shprehet fuqishëm se ajo do të jetë gjithnjë në mbrojtje të tyre. “Unë jam një luaneshë që ka katër këlyshë. Jam një nënë dhe do të kujdesem e do të mbroj fëmijët e mi. Nuk dua të flas as për ta, as për babanë e tyre dhe as për veten”, thotë modelja.
Megjithatë, ajo nuk e mohon që ndarja i ka shkaktuar dhimbje të madhe. “Sigurisht që ky ndryshim në jetë më ka lënduar. Nuk jam një robot dhe nuk jam as prej guri!”
Çifti deklaroi ndarjen e tyre në janar, mbas shtatë vitesh martesë. (LajmeShqip.com)
Friday, 09 March 2012 14:53 