Një djalë i ri në Elbasan kanos një grua me publikimin e një video intime. Marjo Bici, 22 vjeç u arrestua ditën e djeshme pasi ka kanosur 48 vjeçaren M.B., banuese në Elbasan, duke i kërkuar 500 euro për të mos publikuar një video intime të saj.
Nga hetimet e policisë në cilësinë e provës materiale u sekuestruan pamjet filmike të bëra ndaj shtetases M.B., një aparat celular tip Nokia dhe 500 euro.
Burime për Noa.al thanë se gruaja banonte në një shtëpi përdhese dhe i riu e ka filmuar nga dritarja gjatë kohës që ajo vishej dhe zhvishej.
Duke pasur pamjet e saj në momente intime e ka kërcënuar se në rast se nuk i jepte 500 euro do publikonte videon e saj.
Në këto kushte gruaja është paraqitur në polici ku ka bërë denoncimin ndaj Marjo Bicit.
Efektivët e policisë në bashkëpunim me 48 vjeçaren, i kanë ngritur kurth Bicit.
Ata i kanë dhënë 500 euro gruas, e kanë udhëzuar që të flasë me 22 vjeçarin dhe të lërë vendin e takimit për t’i dhënë paratë.
Në këto momente gjatë kohës që i riu po merrte lekët ku do bënte dhe dorëzimin e videos, kanë ndërhyrë efektivët e policisë dhe kanë bërë arrestimin e tij në flagrancë.
Mësohet se i riu ishte komshiu i saj, dhe e ka filmuar gruan nga dritarja gjatë kohës që ajo zhvishej në banesë.
Efektivët e policisë po hetojnë për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarje, ndërkohë në ngarkim të Bicit materialet i kaluan Prokurorisë së Elbasanit për ndjekje të mëtejshme për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.
Thursday, 27 August 2015 15:23