Durrës – Komedia “Çifti i shqyer” fitoi mbrëmjen e kaluar duartrokitjet e spektatorëve gjatë prezantimit në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës.
Trupa e “Teatrit të Metropolit” nga Tirana, nën regjinë e Julia Sinanit dhe Armela Demajt, trajtoi në mënyrë groteske dhe me elementët e Comedia dell’Arte, një nga shfaqjet më të njohura të bashkëshortëve të shquar italianë të teatrit, Franka Rame dhe Dario Fo, ky i fundit fitues i Çmimit Nobel për letërsinë, në vitin 1997.
Aktorët Klodjana Keco dhe Ledion Zoi ngjitën në skenë problematikat e një çifti, Antonias, një grua depresive edhe për shkak të sjelljes së bashkëshortit dhe një burri, që pretendon se kjo gjë mund të zgjidhet, duke kërkuar shkëndija dhe pasione të tjera jashtë familjes.
“Çifti i shqyer” është një domosdoshmëri e kohës që mund ta bëjë funksionale dhe të qetë jetën e përditshme të familjes, ardhur si një kërkim teatror 80 minuta me humor dhe të papritura mjaft të këndshme falë interpretimit të Klodjana Kecos, që merr përsipër të shpalosë bashkë me talentin edhe aftësinë për t’i dhënë zgjidhje skenave që kalojnë në ekstreme brenda pak sekondash. Më i përmbajtur në zbatimin e detyrës regjisoriale u shfaq aktori Ledion Zoi, me një qetësi të brendshme që prishet, vetëm kur bashkëshortja ndjek me përpikëri udhëtimet e tij për t’u lidhur me një burrë tjetër.
Komedia e këndshme ka qenë mysafire në Durrës 10 vjet më parë nën regjinë e Altin Bashës dhe me interpretimin e shkëlqyer të Gazmend Gjokës dhe Olta Dakut.
Një zgjidhje e re, tepër interesante ajo që u shfaq mbrëmjen e kaluar nga “Teatri i Metropolit” të Tiranës në Durrës, ku edhe elementët e kursyera të skenografit Beqo Nanaj dhe kostumografes Bukuroshe Sinani i dhanë jetë premierës së përgatitur 8 muaj më parë nga grupi i krijuesve të rinj të talentuar teatrorë.
Monday, 30 May 2011 12:30