Lajme Shqip Friday, 23 September 2011 14:19

Durrës- Dy aktorë të teatrit “Aleksandër Moisiu”, Xhelal dhe Marvin Tafaj, babë e bir, janë pushuar këto ditë nga puna me kërkesë të drejtuesve të bashkisë së Durrësit.

Gjatë një deklarimi për mediat, aktori i njohur Xhelal Tafaj tha se zyrtarisht nuk ka asnjë motivacion për largimin e tyre nga puna, por nga kontaktet me drejtuesit e bashkisë së Durrësit ndërprerja e njëanshme e kontratës së punës lidhet me qëndrimin e tij në zgjedhjet e 8 majit.

“Sipas drejtuesve të bashkisë, Vangjush Dako dhe Adrian Cela, unë dhe djali im kemi patur konflikte me mbështetësit dhe komisionerët e majtë”, tha Tafaj, i cili kontribuon që prej 35 vjetësh në teatrin “Aleksandër Moisiu”.

Që nga viti 1976, kur ka nisur punën si aktor, Xhelal Tafaj ka intepretuar mbi 60 role në teatër dhe shumë të tjerë në kinema. Për kontributin e tij në skenë një vit më parë ai u nderua nga Presidenti i Republikës me urdhërin “Naim Frashëri i Artë”.

Marvin Tafaj, që prej tre vjetësh aktor në trupën e Durrësit, ka marrë pjesë në të gjitha premierat e përgatitura në teatrin, i cili varet nga bashkia e qytetit.

Aktori durrsak Xhelal Tafaj tha se së bashku me djalin e tij aktor, edhe ai i pushuar nga puna, do t’i drejtohet gjyqësorit për të vënë në vend të drejtën e tyre.