Lajme Shqip Friday, 20 May 2011 10:22

Durrës – Janë 18 shtetas nga Durrësi dhe Kruja që do të proçedohen penalisht në gjëndje të lirë për “Pjesëmarrje në manifestimet e paligjshme” dhe “Pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit” gjatë protestave, që organizuan dje nga mbështetësit e Partisë Socialiste.

Burime zyrtare nga drejtoria e Policisë së qarkut bënë të ditur për ATSH-në, se gjatë protestave që bllokuan dje për afro dy orë trafikun e automjeteve në hyrje të qytetit bregdetar dhe të autostradës Durrës-Tiranë, janë identifikuar dhe proçeduar penalisht në gjëndje të lirë pesë shtetas të moshave nga 25-56 vjeç.

Për të njejtën vepër penale ka nisur proçedimi në gjendje të lirë edhe për 13 persona të tjerë, të moshave nga 25-53 vjeç, banorë në fshatrat pranë Fushë Krujës.

Këta të fundit janë identifikuar gjatë protestave të paligjshme, që bllokuan thuajse në të njejtën orë me Durrësin edhe superstradën Fushë – Krujë –Milot, në afërsi të fshatit Derven.

Dje në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, mbështetësit e PS kërkuan nga KQZ përmbylljen e proçesit dhe shpalljen e fituesit për bashkinë e Tiranës.