Lajme Shqip Thursday, 26 May 2011 11:21

Durrës – “Kronika e një mozaiku” është titulli që ka zgjedhur për ekspozitën e tij piktori Eduart Karaj, punimet e të cilit janë vendosur në Klubin e Artit dhe Kulturës në qytetin e Durrësit.

17 tablotë e ekspozuara në mjediset e këtij Klubi kanë tërhequr vëmendjen e artdashësve dhe kolegëve artistë durrsakë, të cilët kanë vlerësuar ritmikën e punimeve të 29-vjeçarit nga qyteti i Përrenjasit.

Fytyra të copëzuara dhe linja të ndërprera në një mozaik shumëngjyrësh karakterizojnë krijimtarinë e artistit Karaj, i cili është në kërkim të një gjuhe vetjake vizuale.

Tablotë, në përmasa të mëdha, janë një vallëzim i përhershëm ngjyrash, siç i emërton edhe autori disa nga punimet e tij. Mes veprave të vendosura dallohen portretet e Malësorit dhe Plakut, të punuara në teknikat e drurit dhe qeramikës. Karaj ka shpalosur talentin e tij në kombinimet aplikative të artit pamor, ku ndërthuren teknika dhe materiale të ndryshme.

Tablotë “Lidhje e pasiguritë” dhe “Luftëtari i heshtur” sjellin për shikuesin edhe ndikimet e ndërsjella të artit modern dhe atij tradicional botëror mbi artistin që është në kërkim të rrugës së tij origjinale.

Kritiku Genc Mulliqi thotë se “Eduart Karaj bën përpjekje të vazhdueshme të rindërtojë portretin njerëzor, ndërsa në një det linjash formëson edhe trupa njerëzorë në lëvizje”.

“Ashtu siç ndërtohet një kala mbi gurë, ashtu edhe veprat e mija marrin formë dhe kuptim pjesë-pjesë në telajo”, shprehet autori Eduart Karaj.

“Duke ndërthurur metalin me drurin, linoleumin me bojërat apo plastikën, unë kam shprehur ndjesitë e mija në këtë projekt”, nënvizon piktori që është formuar në Liceun artistik “Onufri” të Elbasanit dhe në vitin 2005 është diplomuar në specialitetin skulpturë-qeramikë, në Akademinë e Arteve në Tiranë.

Tablotë katrore janë një pjesë kompozicionale mbi të cilën autori ndërton subjektin domethënës të veprës, ndërsa rrethin ai e quan “simbol të thjeshtësisë dhe harmonisë që e nxit të krijojë figurat njerëzore”.

Në ekspozitën që do të qëndrojë e hapur një javë, mjaft interes kanë ngjallur edhe veprat “Çifti” dhe “Kronika e një historie”, ndërsa në tablonë “Napoloni i gjyshes-dielli im” ndjehet nostalgjia për fëmijërinë.

Klubi i Artit dhe Kulturës, që mbështetet nga kompania e sigurimeve Sigal, është bërë një pikëtakimi i veçantë për piktorët shqiptarë, që ekspozojnë në qytetin e Durrësit.