Lajme Shqip Thursday, 20 October 2011 10:14

Durrës (PLOTËSUAR 14:07) – Operacioni i kërkim-shpëtimit për marinarët e zhdukur nga përplasja e tragetit “Ankara” me anijen tregtare “Reina 1” është ndërprerë sot në mesditë.

Prefekti i qarkut të Durrësit, Genc Alizoti, i cili drejtoi shtabin e koordinimit të këtij operacioni, tha për ATSH-në se “kërkimet u ndërprenë pasi nuk ka më shpresë për të gjetur  8 të zhdukurit e tragjedisë detare”.

Dy nga marinarët e anijes “Reina 1”, e cila u fundos menjëherë pas përplasjes me tragetin “Ankara”, kanë mbijetuar dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën në spitalin rajonal të Durrësit.

Prefekti Alizoti shtoi se anijet dhe motovedetat e Rojes Bregdetare dhe Policisë Kufitare, janë urdhëruar të rikthehen në vendbazimet e tyre.

Trageti “Ankara” dhe anija tregtare “Reina 1” u përplasën fatalisht sot rreth orës 01.00, rreth 20 milje larg portit të Durrësit, në ujërat ndërkombëtare të Adriatikut.

****************************

Durrës (PLOTËSUAR 12:07) – Trageti “Ankara” me 196 udhëtarë në bord, i cili u përfshi në orët e para të mëngjesit të së enjtes në përplasjen me anijen “Reina 1” ,do të vazhdojë lundrimin drejt destinacionit, portit të Barit, Itali.

Kapiteni i përgjithshëm i Porteve, Edmond Doracaj, tha se trageti që ishte përfshirë në operacionin e kërkim-shpëtimit do të vijojë lundrimin drejt portit të Barit (Itali), ndërsa në vendngjarje vazhdojnë përpjekjet për të gjetur trupat e personave të mbytur ose të mbijetuar.

Sipas kapitenit Doracaj, shanset e shpëtimit të ndonjerit prej 8 marinarëve të humbur janë shumë të vogla, pasi  marinarët,  mund të jenë mbytur së bashku me anijen “Reina 1”, duke iu referuar edhe orës së natës kur ka ndodhur përplasja fatale.

Dorcaj saktësoi se përveç dy marinarëve të mbijetuar, që ndodhen në spitalin Rajonal të Durrësit, deri tani nuk ka asnjë të dhënë tjetër për 8 marinarët e tjerë të anijes tregtare “Reina 1”, ndërsa njoftimi për kufomën e një marinari në bordin e tragetit “Ankara”, ka qenë pasojë e keqkuptimit në raportimet në sistemin e radios.

Trageti “Ankara” dhe anija tregtare “Reina 1” u përplasën fatalisht sot rreth orës 01.00 rreth 20 milje larg portit të Durrësit.

****************************

Durrës (PLOTËSUAR 10:52) – Trageti “Ankara”, i cili u përplas sot në orët e para të ditës me anijen “Reina 1”, do të jetë pjesë e operacionit të kërkim shpëtimit, që vazhdon prej disa orësh në det të hapur.

Kapiteni i përgjithshëm i porteve, Edmond Doracaj, tha se “196 udhëtarët që ndodhen në bordin e tragetit, që ishte nisur drejt portit të Barit (Itali), do të qëndrojnë në mjetin e madh lundrues deri sa të përfundojë operacioni i kërkim-shpëtimit”.

Kapiteni Doracaj e përjashtoi mundësinë e vazhdimit të lundrimit të tyre me një traget tjetër. “Është e pamundur të bëhet një kalim i tillë në mes të detit”, tha Doracaj, sipas të cilit edhe anijet e Rojes sonë bregdetare e kanë të vështirë të afrohen shumë afër tragetit.

Përplasja e dy mjeteve lundruese sot rreth orës 01.00 shkaktoi mbytjen e menjëhershme të anijes tregtare “Reina 1”, ndërsa nga tragjedia detare kanë mundur të shpëtojnë vetëm dy marinarë me shtetësi turke.

Sipas kapitenit Doracaj në bordin e tragetit ndodhet edhe kufoma e një viktime tjetër të mbytur, ndërsa shtatë anëtarët e tjerë të ekuipazhit të anijes “Reina 1” nuk gjenden akoma.

“Operacioni i kërkim shpëtimit në të cilin aktualisht marrin pjesë disa anije dhe një helikopter drejtohet nga Ministria e Mbrojtjes”, tha kapiteni Doracaj.

Anija “Reina 1” po lundronte nga Rusia drejt Malit të Zi, teksa është përplasur fatalisht 20 milje larg Durrësit me tragetin “Ankara”. Trageti ishte nisur nga porti shqiptar mbrëmë rreth orës 23.00 dhe duhet të mbërrinte në Bari (Itali) sot rreth orës 8.00.

****************************

Durrës (PLOTËSUAR 10:44) – Gjendja e dy marinarëve të shpëtuar nga anija tregtare që u përplas në orët e para të mëngjesit të sotëm mësohet të jetë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa nga ajri dhe deti vazhdon operacioni i kërkim shpëtimit për gjetjen e marinarëve që ndodheshin mbi bordin e anijes me flamurin maltez.

Burime nga spitali Rajonal i qytetit të Durrësit thanë pak më parë  se Ahmet Bau 37 vjeç dhe Ahmet Setik, 54 vjeç, të dy nga Stambolli, ndodhen në spitalin rajonal të qytetit, jashtë rrezikut për jetën.

Nga ana tjetër, burime nga komanda e Forcave Detare, bëjnë me dije se numri i anijeve dhe motovedetave  në operacionin e kërkim shpëtimit, ka arrtitur në shtatë, ndërsa nga ajri kanë nisur kërkimin edhe dy helikopterë shqiptarë.

Operacioni i kërkim shpëtimit koordinohet nga  Shtabi i Emergjencës, nën drejtimin e prefektit të Durrësit, Genc Alizoti.

Trageti “Ankara”, i cili ishte nisur rreth orës 23, me rreth 200 udhëtarë në bord, është nisur nga Porti i Durrësit drejt Barit dhe 20 milje larg portit, në ujërat ndërkombëtare është përplasur me anijen tregtare “Reina 1”, me një kapacitet 3500 ton, e cila lundronte nga një port rus drejt Malit të Zi.

Anija tregtare me flamur maltez është fundosur shumë shpejt nga goditja e fortë, ku deri tani mësohet se kanë shpëtuar dy nga marinarët që ndodheshin në këtë anije, ndërsa vazhdojnë operacionet e kërkimit nga ajri dhe deti për gjetjen e marinarëve të tjerë.

****************************

Durrës – Një traget i linjës Durrës-Bari është përplasur natën e kaluar me një anije transporti, duke shkaktuar fundosjen e saj, ndërsa nga të dhënat e para dyshohet se 8 nga 10 anëtarët e ekuipazhit kanë vdekur, ose momentalisht konsiderohen të humbur.

Kapiteni i përgjithshëm i porteve, Edmond Doraci, tha se ngjarja ka ndodhur rreth 20 milje larg portit të Durësit, në orët e para të ditës së sotme. Trageti “Ankara”, i cili ishte nisur nga Durrësi drejt portit të Barit, është përplasur me anijen tregtare “Reina 1”,  me një kapacitet 3500 ton, e cila lundronte nga një port rus drejt Malit të Zi, thanë burimet.

Sipas tyre, anija tregtare me flamur maltez është fundosur shumë shpejt nga goditja e fortë dhe ekuipazhi i tragetit ka mundur të shpëtojë vetëm dy prej marinarëve të saj.

Kapiteni Doraci shtoi se nga të dhënat e marra nga komunikimi me tragetin, duket se është gjetur edhe trupi i një marinari të mbytur, ndërsa ka pak shpresa për shtatë marinarët e tjerë.

Burime zyrtare nga Policia e qytetit bregdetar thanë  për ATSH-në se marinarët e shpëtuar Ahmed Baud dhe Ahmed Setik ndodhen në spitalin rajonal të Durrësit dhe po marrin ndihmën mjekësore.