Lajme Shqip Thursday, 22 December 2011 20:00

Durrës – Mbi 1200 automjete dhe 4500 udhëtarë, kryesisht bashkatdhetarë që vijnë për të festuar festat e fundvitit me familjet e tyre, pritet të mbërrijnë sot me shtatë tragete nga portet e Barit dhe Ankonës (Itali).

Burime zyrtare nga drejtoria rajonale e policisë së kufirit dhe migracionit, bënë të ditur për ATSH-në se sot në orët e para të ditës kanë mbërritur 4 tragete me 3 mijë udhëtarë dhe 900 automjete dhe përgjithësisht përpunimi i udhëtarëve dhe automjeteve po kryhet pa probleme. Jane vënë në dispozicion 22 sportele për autoveturat dhe 13 të tjera për udhëtarët, thanë burimet, sipas të cilave, një defekt që ndodhi në sistemin e kontrollit TIMS do të riparohet shumë shpejt.

Burimet bënë të ditur se deri tani kanë mbërritur tragetet “Ionis”, “Rigel”, “Adriatica quen” dhe “Riviera adriatica”, që të gjithë nga Bari, ndërsa nga i njejti port priten gjatë orëve në vazhdim tragetet “Bari” dhe “Ankara”. Sot rreth orës 14.00 në portin detar do të ankorohet edhe trageti “AS Francesca” që vjen nga Ankona.

Sipas burimeve, me afrimin e festave numri i udhëtarëve gjatë ditëve në vazhdim pritet të rritet ndjeshëm, ndërsa kompanitë e lundrimit kanë dyfishuar numrin e trageteve.