Lajme Shqip Monday, 23 May 2011 09:49

Durrës – Godina e këshillit të qarkut në Durrës ka ndryshuar pamje pas një investimi prej 55 milionë lekë. Banesës katër katëshe, të ndërtuara në fundin e viteve 1970 i është shtuar edhe një kat tjetër, ku janë vendosur salla e mbledhjeve të këshillit si dhe ajo e specialistëve që bashkëpunojnë për hartimin dhe implementimin e projekteve të përbashkëta me institucionet e huaja.

Kryetari i këtij Këshilli, Seid Kërtusha, tha për ATSH-në se ndërhyrja në fasadën e godinës 35-vjeçare ishte e domosdoshme, ndërsa riveshja me elementë ndërtimorë dhe dekorativë e ka afruar atë me institucionet e tjera që ndodhen në qendrën e qytetit bregdetar.

Sipas Kërtushës, shtesa e konceptuar në katin e sapondërtuar do të mundësojë zhvillimin në kushte optimale të mbledhjeve të këshillit të qarkut të Durrësit dhe Krujës. Pajisjet e sallës së re, së bashku me sistemin e fonisë dhe të regjistrimit TV, që po instalohen këto ditë, kanë një vlerë prej 13 milionë lekë, tha kreu i këtij këshilli, duke shtuar se investimi prej 55 milionë lekë është përballuar nga vetë këshilli.

Godina që shërben edhe si seli e prefekturës ndodhet në sheshin “Liria” të qytetit, ku që nga vitet 1930 janë ndërtuar edhe bashkia, xhamia e madhe si dhe pallati i kulturës “Aleksandër Moisiu”.

Sheshi qendror i Durrësit që prej një viti, me nismën e bashkisë, po i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë, sipas projektit fitues të konkursit ndërkombëtar për rivitalizimin e tij.