Lajme Shqip Thursday, 01 September 2011 21:02

Durrës – Regjisori hollivudian, Fransis Ford Coppola ishte edhe sot protagonist i edicionit të katërt të Festivalit Ndërkombëtar Veror të Filmit, që po zhvillohet në Durrës.

Regjisori i madh ua nderua me çmimin e Karrierës si novatori i madh i kinemasë botërore, në një ceremoni të veçantë në mjediset e Amfiteatrit të lashtë të qytetit bregdetar.

Ai po prezanton në mbrëmje filmin “Tetro”, prodhim i vitit 2009, shkruar, drejtuar dhe prodhuar prej tij.

Filmi që zgjat 127 minuta është xhiruar mes Amerikës, Argjentinës e Spanjës dhe dëshmon historinë e dy vëllezërve, të cilët takohen vonë. Bennie punon kamerier në një anije turistësh, në javën kur mbush 18 vjeç, anija bën një ndalesë në Buenos Aires dhe ai niset për të gjetur të vëllain, Tetron, të cilin ka vite pa e parë. Tetro që jeton me Mirandën, sillet shumë çuditshëm; herë është i dashur me të vëllain e herë i ftohtë, ia prezanton miqve si “shok”, nuk pranon të flasin për familjen dhe i kërkon Bennie-t të mos i tregojë Mirandës kush është babai i tyre. Mendimet për babain ziejnë në mendjen e të dy vëllezërve. Kush është ai? Po Tetro pse i fshihet të kaluarës? Bennie gjen faqe të romanit të papërfunduar të Tetro-s dhe kërkon të dijë historinë e vet dhe të bëhet pjesë e jetës së të vëllait.

Filmit “Tetro” i parapriu një tjetër film i Fransis Ford Coppolas. Mjeshtri i kinemasë prezantoi filmin “Rini pa rini”, prodhim i vitit 2007. Filmi “Rini pa Rini” ka protagonist aktorin, Tim Roth në rolin e Dominic Matei, një profesor gjuhësie në moshë, që i mbijeton një ngjarjeje kataklizmike dhe çuditërisht bëhet sërish i ri. Rinimi fizik i Dominic-ut shkon paralelisht me intelektin e tij tepër të zhvilluar, çka tërheq vëmendjen e shkencëtarëve nazistë, duke e detyruar të largohet.

Në arrati, bashkohet me dashurinë e humbur, Lauran dhe punon për të përfunduar kërkimin rreth origjinës së gjuhës njerëzore. Kur kërkimi vë në rrezik mirëqenien e Lauras, Dominic vihet mes dy alternativash: të zgjedhë punën ose dashurinë e jetës.

Regjisori hollivudian mbërriti dje për herë të parë në vendin tonë. Në mbrëmje ai zhvilloi dy takime, njërin prej të cilëve me kineastë të rinj në sallën e tetrit “Aleksandër Moisiu”, ndërsa tjetrin me intelektualë, aktorë dhe artistë të qytetit bregdetar në bashkinë e Durrësit.