Durrës – Gjatë 48 orëve të fundit nga porti detar i Durrësit janë nisur drejt Italisë 10 tragete me 5092 udhëtarë vendas dhe të huaj, si dhe 1156 autovetura. 
Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë rajonale të Kufirit dhe Migracionit bënë të ditur për ATSH-në se “megjithë detin e trazuar tragetet që kanë lundruar kryesisht drejt Barit (Itali) janë nisur sipas orarit të paracaktuar”.
Numri i udhëtarëve ka ardhur duke u rritur në krahasim me ditët e para të vitit dhe pritet që në fundjavë fluksi i udhëtarëve dhe mjeteve në dalje nga porti i Durrësit të jetë shumë më i lartë.
Shumica e udhëtarëve që nisen këto ditë me tragete nga Durrësi drejt Italisë janë bashkëatdhëtarë që kaluan festat e fundvitit pranë familjeve të tyre në vendin tonë, Kosovë dhe Maqedoni. Pas mbërritjes në portet e vendit fqinj ata do të vazhdojnë udhëtimin me automjete ose trena drejt qyteteve, ku jetojnë e punojnë prej vitesh, në vende të ndryshme të Evropës perëndimore. (LajmeShqip.com)
Friday, 06 January 2012 19:39