Lajme Shqip Thursday, 22 December 2011 14:06

Edhe Dritëro Agolli, e ka cilësuar përjashtimin e deputetit Kastriot Islami si një metodë të vjetër që funksiononte dikur në partitë politike.

Duke folur për një të përditshme shqiptare, Agolli thotë se, mungesa në seancën e fundit e Islamit, nuk mund të ndëshkohej me përjashtim, por ky vendim duhej gjykuar gjatë dhe thellë.

Për anëtarin e Asamblesë Kombëtare, partia nuk duhet konsideruar si një repart ushtarak ku mbizotëron disiplina formale, por duhet parë si një bashkim vullnetar njerëzish me dëshirë për të kontribuuar.

Dritëroi sugjeron që partitë politike duhet të shohin përtej ndëshkimit të një deputeti, duhet të marrin mirë parasysh pasojat që vijnë pas tyre. Ai është shprehur se edhe kur ka qenë vetë deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, jo gjithmonë i ka ndjekur veprimet e Grupit Parlamentar, por asnjëherë nuk është përjashtuar.

Gjithashtu, gjatë viteve të qeverisjes socialiste ai ka qenë një nga kritikët e mëdhenj përmes intervistave dhe shkrimeve të kreut socialist Fatos Nano dhe mënyrës se si ai e qeveriste vendin. Edhe atëherë nuk u diskutua kurrë për përjashtim të tij, madje rimori mandatin e pjesshëm të deputetit.

Agolli I ka dhënë të drejtë edhe vlerësimit të Islami për çështjen e bojkotit, të cilën deputeti socialist ti e kritikoi shumë, ashtu si dhe Agolli. “Faktet treguan se duhej lënë shumë kohë më parë.

Deputetët socialistë u kthyen në Kuvend, ky ishte qëllimi i kritikave të mia, por dhe të Kastriotit, besoj apo dhe të tjerëve që kritikuan bojkotin dhe kërkuan që deputetët të ktheheshin dhe debatonin në Kuvend”-shprehet Dritero Agolli.