Lajme Shqip Wednesday, 28 September 2011 10:59

Tiranë – Ish-Ministri i Energjitikës Dritan Prifti deklaroi gjatë një interviste në News 24 se ka rreth 60 video përgjime që ka kryer në zyrën e tij me Metën e njerëz të tjerë, por do t’i publikojë kur të vijë koha pasi frikësohet për jetën e tij.

Prifti shprehet se këto ditë prokuroria ka nxjerrë fakte se ekziston dhe një video-përgjim i tretë përveç 2 të tjerave. Prifti bën të ditur se në këtë video të tretë në duart e prokurorisë shfaqet botuesi i “Gazeta 55”, Fahri Balliu teksa kërkon favore.

“Është një video e tretë, aty shfaqet botuesi i ‘Gazeta 55’, Fahri Balliu që më kërkon favor. Z Balliu ka ardhur shumë herë në zyrën time, unë e njoh prej vitesh, ai është një mik i z.Meta, hallexhi z Balliu. Të gjithë që vinin në zyrën time vinin për ndonjë hall. Por kjo video është një sekret hetimi, dhe unë nuk flas dot më gjatë pasi Prokuroria e ka shpallur me vendim të vecantë sekret hetimi, por theksoj se ndodhia aty është interesante. Balliu ofroi diçka dhe kërkoi dicka. Tani për cfarë ishte i interesuar, ai interesohej për gjithë sektorët. Mund të them se kishte disa probleme ligjore për të zgjidhur Balliu, unë nuk ja zgjidha, ja zgjidhi më pas Meta”.

I pyetur sesa video ekzistojnë vërtet, Prifti pranon se ka shumë të tilla.

“Janë shumë video. Po përmend Presidentin Nikson, ai bëri 62 video me takimet që bënte në zyrë, dhe unë jam aty afër atij numri. Janë regjistrime që kam bërë me familjen e Metës, njerëz të tjerë që vinin me takonin, ka shumë emra të njohur që vinin më kërkonin favore, janë të gjitha pjesë e një historie të frikshme që u zhvillua gjatë kohës që isha në qeveri”.

Ish-ministri i Energjitikës rrëfeu se videot janë të ruajtura jashtë vendit. “ I kam ruajtur në 2 vende, jashtë vendit. Shfaqen persona që kërkonin gjëra të jashtëligjshme, bënin oferta të jashtëligjshme”.

Më tej, Prifti komentoi marrëdhëniet me kryesocialistin Edi Rama që i cilësoi të mira, ndërsa cilësoi Berishën të paaftë. Prifti theksoi se PS eshte partia qe duhet te qeverise ne te ardhmen.