Lajme Shqip Wednesday, 04 January 2012 16:40

Komandanti i forcave paqeruajtëse në Kosovë, gjenerali Erhard Drevs, tha sot se plani për zvogëlimin e trupave të NATO-os në Kosovë, përfshirë edhe ato amerikane, është një plan që ka ekzistuar para  ngjarjeve të 25 korrikut të këtij viti që ndodhën në veri të Kosovës.

Mirëpo, pas këtyre ngjarjeve, komandanti Drevs tha se në këtë fazë nuk do të ketë reduktim të trupave. Ai tha se reduktimi i mundshëm do të shqyrtohet në të ardhmën nga instancat e larta politike të NATO-os.

“Ky është një plan i vjetër që ka dalë sërish në shesh, pasi ky plan ka ekzistuar para ngjarjeve të korrikut në veri, kur KFOR-i kishte planifikuar të përgjysmonte trupat në Kosovë. Por për shkak këtyre ngjarjeve, ky plan për zvogëlim të trupave të KFOR-it, është shtyrë për një kohë të pacaktuar”, tha komandanti i KFOR-it Erhard Drevs.

Komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Drevs, këto komente i bëri gjatë një vizite në komunën e Vitisë, ku foli edhe për marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. A tha se nuk beson që kjo marrëveshje mund të realizohet brenda  një periudhe të shkurtër.

Gjenerali Drevs, i mirëpret marrëveshjet  që janë arritur dhe ato që mund të arrihen ndërmjet Kosovës  dhe Serbisë, por sipas tij e rëndësishme dhe vendimtare është   që ato marrëveshje të mos mbesin vetëm në letër por të zbatohen në terren.