Lajme Shqip Thursday, 07 June 2012 22:29

Tiranë – Drejtori i Zgjerimit në KE Stefano Sannino rikthehet në Tiranë, në një kohë kur mazhoranca dhe opozita ende nuk kanë gjetur një konsensus për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Në takim me kryeministrin Berisha, Sannino u informua nga kreu i qeverisë se kandidatura e ofruar nga mazhoranca për postin e kreut të ri të shtetit plotëson të gjitha kriteret për të qenë konsensual. E njëjta gjë u theksua edhe nga kreu i LSI-së, Ilir Meta.

Sannino takoi edhe kreun e PS Edi Rama, por  takimi u zhvillua pa pranine e mediave. Raundi i tretë i votimit për presidentin pritet te zhvillohet të premten në Kuvend, ndërkohë që opozita nuk pranon të mbështesë kandidaturën e mazhorancës Xhezair Zaganjori. Nano apel PS-së për ta mbështetur si kandidaturë në raundet e mbetura.

Kryeminsitri Berisha gjatë takmit që pati sot me Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian zotin Stefano Sannino e siguroi atë atë për angazhimin e plotë të mazhorancës për përmbylljen e tyre sa më shpejt në përputhje me rekomandimet dhe prioritetet që Shqipëria ka në procesin e integrimit.

Zyra e kryeministrisë bën me dije se në takim u bisedua edhe për procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Kryeministri Berisha theksoi, se në respekt të angazhimit të tij të bërë publik prej kohësh, procesi që po zhvillohet është në përputhje të plotë me gërmën dhe frymën e Kushtetutës, i bazuar në negociata dhe konsultime.

Ai shprehu besimin se procesi që po zhvillohet në Parlament dhe kandidatura e ofruar nga mazhoranca, përmbush më së miri kushtet dhe kriteret që ky proces të përmbyllet me zgjedhjen e një Presidenti të Republikës që siguron konsensus dhe mbështetje të gjerë të forcave politike dhe opinionit publik.

Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu priti sot në zyrën e saj Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Europian, z. Stefano Sannino. Në takim u diskutua mbi ecurinë e zbatimit të Planit të Veprimit për adresimin e 12 prioriteve të Opinionit të Komisionit Europian, për aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim, raportin mujor të Shqipërisë mbi zbatimin e Planit të Veprimit dhe përgatitjet për takimin e ardhshëm konsultativ me Komisionin Europian lidhur me zbatimin e Planit të Veprimit.

Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Stefano Sanino zhvilloi pasditen e sotme një takim me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto. Në njoftim për mediat të zyrës së shtypit në ministrinë e jashtme theksohet se “Në takim u dhanë mesazhe të qarta se procesi i integrimit duhet të jetë një proces gjithëpërfshirës, dhe që palët të dalin mbi interesat partiake.”

Ecja përpara e reformave të nisura është e domosdoshme me qëllim që klima pozitive e krijuar pas Këshillit të Stabilizim Asociimit më 15 maj të kapitalizohet me marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria-theksohet në njoftimin për mediat. (LajmeShqip.com)