Lajme Shqip Tuesday, 25 August 2015 14:07

Spitali i Vushtrrisë Sheikh Zayed është duke u rinovuar, pasi që ka përfituar një donacion prej 6 milionë dollarë nga fondacioni “Halifa”, ku do të investohet në rindërtim, inventarizim dhe pajisje moderne mjekësore në të gjitha repartet.

Me këtë rast spitali iu ka nënshtruar një renovimi total, ku përveç pajisjeve mjekësore, do të ndërrohen edhe dyert, dritaret e shtretërit, raporton Veriu.info.

Mirëpo, këto ditë kanë plasur akuzat për keqpërdorime nga drejtuesit e spitalit, përkatësisht drejtori i spitalit.

Në një letër e cila i është dërguar drejtorit të përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) dr. Curr Gjocaj dhe Departamentit të Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, e të cilën e ka siguruar Veriu.info, thuhet se prej fillimit të renovimit të spitalit ka manipulime të mëdha me inventar dhe material shpenzues, i cili po merret nga 2-3 persona për përfitime personale.

 “Vlera e materialit shpenzues dhe inventarit është bukur e madhe, duke i përfshirë: dyert hyrëse, dyert e dhomave, dritaret e alumini, pastaj trarët e kulmit, pllakat nga llamarina, si dhe të gjitha pjesët sanitare në tërë objektin. Në vend se të qitet ai material në ankand për shitje dhe ato mjete sipas vlerësimit tonë do të ishin 15 mijë euro, ku këto mjete do të shkonin në buxhetin e Kosovës, tani ato mjete janë përvetësuar nga 3-4 punëtor me leje të drejtorit për gjoja parashihen me një memorandum ta pakuptimtë të nënshkruar në mes të kompanisë NPN “Favor ing” dhe drejtorit të spitalit Dr. Hajrullah Saraçi të nënshkruar më 11.08.2015, memorandum i paqëndrueshëm dhe me tentim për krim ekonomik, përvetësim i pasurisë së paluajtshme”, thuhet në letrën e dërguar nga monitoruesit Xheladin Berisha dhe Shaban Ademi, të cilët tregojnë se me 8 qershor janë emëruar monitorues të projektit nga Ministria e Shëndetësisë dhe ShSKUK-ja (shih dokumentin).

Drejtori i Spitali Hajrullah Saraçi po konsiderohet se ka bërë shkelje me nënshkrimin e memorandumit, ku në pikën tre të tij thuhet: “Pjesa e mbetur është detyrë e punëkryerësit, si: dritaret, dyert, etj. të dërgohen për riciklim apo përdorim të serishëm për nevoja të tyre, pa kurrfarë kompensimi material për spitali”.

Pra, këto po bëhet tjetërsimi i pronës pa kurrfarë baze ligjore, gjë për të cilën kanë reaguar edhe punëtorët e spitalit. /Veriu.info