Lajme Shqip Monday, 16 May 2011 16:43

Shkup – Demokracia e Re (DR) e Imer Selmanit ka akuzuar ashpër Bashkimin Demokratik për Integrim, për  presion ndaj administratorëve shqiptarë, me qëllim që të njëjtit ta përkrahin këtë subjekt politik gjatë fushatës zgjedhore.

Sipas DR-së, BDI është duke ushtruar trysni të paparë mbi të gjithë punonjësit shqiptarë në administratën shtetërore, duke kërkuar nga ata përmes formave të presionit, kërcënimeve dhe shantazhit  që me çdo kusht të përfshihen në fushatën zgjedhore, edhe atë në shërbim të BDI-së.                                                                             “Informatat më të fundit flasin për presionin që është ushtruar dhe vazhdon të ushtrohet ndaj administratorëve nga Tetova, nga të cilët BDI-ja kërkon të mobilizojnë sa më shumë njerëz me qëllimin e vetëm që të mbushin sallën e sporteve  ‘Boris Trajkovski’.  Nuk mund të kuptojmë se kë dëshiron te gënjejë BDI-ja me këtë imazh të rrejshëm: vetveten apo shqiptarët. Sido që të jetë, porosisim kryesuesit e BDI-së të mbajnë duart larg nga  keqpërdorimi i  administratorëve te pambrojtur shqiptarë. Ne ju rikujtojmë se këta të rinj shqiptarë të sapodalur nga universitetet tona nuk kanë nevojë për mëshirë, e aq më pak për lëmoshë”, ka thënë Kastriot Haxhirexha, bartës i listës së DR-së në Njësinë e gjashtë zgjedhore.

Sipas DR-së, arsyeja e mbajtjes se tyre larg institucioneve shtetërore është se BDI-ja respekton dëshirën e partnerit të koalicionit VMRO-DPMNE për t’i mbajtur këta të rinj shqiptarë sa më larg qendrave ku Gruevski pregadit projektet antishqiptare.

Në fund Haxhirexha apeloi përfaqësuesit e BDI-së,  se “ju sot ndoshta edhe mund t’i detyroni administratorët e rinj shqiptarë ta mbushin sallën “Boris Trajkovski” në Shkup, por të jeni të sigurt se kurrë nuk do të mundeni të fitoni respektin dhe besimin e tyre”, përfundon Haxhirexha”, dhe se më 5 qershor, ju do të duhet të ballafaqoheni me mllefin e administratorëve shqiptarëve me ndjenjat e të cilëve po luani në mënyrën më të pandershme.