Lajme Shqip Friday, 06 December 2013 17:19

Tiranë- Prokuroria e Krimeve të Rënda ka siguruar dëshminë e një personi, që pretendon se ka parë biznesmenin Arben Frroku, në makinën nga e cila u qëllua për vdekje Dritan Lamaj, mbrëmjen e 24 shkurtit 2013. Personi, emri e të cilit nuk mund të bëhet publik, për arsye të hetimit, është marrë në mbrojtje nga policia dhe konsiderohet si “dëshmitar i drejtësisë”. Ai pritet të dëshmojë në proces kundra Frrokut. Ky dëshmitar i mbrojtur, pretendon se natën e ngjarjes, ka qenë bashkë me të shoqen afër vendit të ngjarjes, ku i vë dhe gishtin Frrokut si pjesëmarrës në krim. Prokuroria është tejet e rezervuar në dhënien e informacioneve, për shkak të sigurisë së jetës së dëshmitarit. Ndërsa, deputeti i Partisë Kristian Demokrate, Mark Frroku, tha për “GSH” se dëshmitari në fjalë, është i manipuluar nga prokuroria dhe se disponojnë prova të forta për pafajësinë e të vëllait Arben Frroku. 

Dëshmitari i drejtësisë 

Një 41-vjeçar, me origjinë nga Lezha, është dëshmitari i mbrojtur i drejtësisë, kundra Arben Frrokut. Prokuroria e Krimeve të Rënda, që po heton për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt, shumë pak metra larg nga shtëpia e tij, e konsideron këtë si provën më të fortë ndaj biznesmenit. Por, me tu vënë në dijeni të kësaj dëshmie, avokati i Frrokut, ka kërkuar të kryhen disa verifikime ndaj këtij dëshmitari. Konkretisht, është kërkuar marrja në pyetje e bashkëshortes së tij, për shkak se ai ka deklaruar se natën e krimit, ka qenë bashkë me të, ku dhe ka identifikuar Arben Frrokun në vendin e ngjarjes. Sipas dëshmitarit, në makinën nga e cila është qëlluar në drejtim të Lamajt, kanë qenë tre persona, dy prej të cilëve me maskë. Prokuroria, në fakt është duke verifikuar dëshminë e këtij personi, mes të tjerash me kërkesë të avokatit, ka kërkuar marrjen e “bërthamave” të telefonit celular, për të vërtetuar nëse është gjendur në vendin e ngjarjes, ku pretendon se ka parë Frrokun. 

Reagimi i deputetit 

Për Mark Frrokun, deputetin e PKD-së, prokuroria po përpiqet me çdo kusht të mbajë pas hekurave të vëllain, qoftë dhe duke manipuluar njerëz, që të dëshmojnë kundra tij. “Dëshmitari është i manipuluar nga prokuroria. Sistemi është i kalbur dhe ka brenda radhëve të prokurorisë, njerëz që po dërgojnë padrejtësisht në burg qytetarë të pafajshëm. Vëllai im Arbeni është i pafajshëm dhe ne kemi prova për ta vërtetuar një fakt të tillë”, tha Mark Frroku. Ai theksoi se provat që vërtetojnë faktin se i vëllai nuk ndodhej në Tiranë, në kohën kur është vrarë Dritan Lamaj, është jo vetëm “bërthama” e telefonit, që tregon qartë vendndodhjen e biznesmenit në momentin e ndodhjes së krimit, por edhe pamjet filmike të kamerave në disa biznese. Në këto pamje, shfaqet makina e biznesmenit në dalje të Elbasanit, pikërisht në momentet që në Tiranë, afër zonës së Vasil Shantos, u qëllua për vdekje ish-shefi i Komisariatit të Kombinatit, Dritan Lamaj./bw/