Lajme Shqip Thursday, 26 December 2013 15:29

Tiranë- Burimet zyrtare raportojnë se është dorëzuar në Prokurorinë e Korçës, ekspertiza e plotë e vrasjes së dy vëllezërve Çollaku. 

Ekspertiza tregon se në trupat e pa jetë të vëllezërve, nuk ka fraktura të tjera veç plagëve të marra nga armët e zjarrit.  Familjarët shprehen se ekspertiza mjeko-ligjore është manipuluar, duke u shprehur të bindur se Melsi dhe Elvis Çollaku janë torturuar nga policia greke, përpara se të qëlloheshin për vdekje.

Të afërmit e viktimave deklarojnë se janë të gatshëm të bëjnë zhvarrosjen e trupave, me qëllim zbardhjen e së vërtetës. Gjithashtu, ata paralajmërojnë se nëse ngjarja nuk zbardhet, atëherë çështjen do ta çojnë deri në Gjykatën e Hagës.

 

Ngjarja

 

Melsi dhe Elvis Çollaku mbetën të vdekur si pasojë e një përplasje me armë 2 kilometra brenda tokës greke, në zonën e liqenit të Prespës së Vogël. Ngjarja e rëndë ndodhi 20 minuta pas mesnatës së të dielës, kur një patrullë e policisë greke prej tre efektivësh ishin duke bërë kontrolle.

Policët grekë ishin duke patrulluar në këmbë dhe makinën e kishin lënë 45 minuta larg vendit të ngjarjes. Sipas dëshmive, ata kanë thirrur në gjuhën shqipe “Ndal Policia”, por nga kasollja janë qëlluar me armë.

Familjarët e dy vëllezërve të vrarë bëjnë apel, që të zbardhet e vërteta e ngjarjes me të afërmit e tyre. Ata këmbëngulin se 2 familjarët e tyre janë vrarë padrejtësisht nga policia greke.

“Policia na tha se në territorin grek u vra vetëm njëri. Vëllai tjetër e mori në kurriz kaloi në territorin shqiptar. Por, policia greke i ka ndjekur duke vrarë edhe tjetrin”, – janë shprehur familjarët./shekulli/