Lajme Shqip Thursday, 07 June 2012 17:13

Tiranë – Figura e princeshës me origjinë shqiptare, Dora d’Istria, personaliteti i saj dhe kontributi i rëndësishëm në Pavarësinë e Shqipërisë ishin në qendër të konferencës që u zhvillua sot, në Muzeun Historik Kombëtar në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë.

I pranishëm në konferencë, studiuesi Antonio D’Alessandri, shkrimtar i monografisë së Dora d’Istrias tha se, domenthënëse për të janë studimet që ajo i dedikoi kombit shqiptar. “Në vitet ’60-’70 të shek.XIX u krijua një rrjet intelektual që kishte për qëllim njohjen e kombit shqiptar në sytë e opinionit publik europian. Dora d’Istria ishte një nga personazhet më të rëndësishme të këtij rrjeti intelektual”, tha D’Alessandri.

Studiuesi i Dora d’Istrias shtoi se, kontributi i saj në formimin e identitetit kombëtar shqiptar është i lidhur me kontaktet e saj me patriotët arbëreshë. Nga ana tjetër, studiuesja e Qendrës Ndëruniversitare të Studimeve Albanologjike, Merita Sauku Bruci referoi në lidhje me korrespondencat që ka pasur Dora d’Istria, një pjesë e të cilave, 110 letra, ndodhen në Arkivin e Shtetit, një pjesë tjetër në Arkivat e Kopenhagenit dhe në Bibliotekën e Kozencës. Sipas studimit të letërkëmbimeve rezulton se, Dora d’Istria ishte për një rizgjim letrar pa të cilin nuk do të mund të kishte rizgjim politik. 

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Luan Malltezi tha se, shqetësimi kryesor i Dora d’Istrias  ishte zgjimi i vetëdijës kombëtare. “Për ta bërë të mundur këtë, Dora D’Istria dëshironte të formohej një shoqëri letrare në katër vilajetet, të mblidheshin këngët popullore që ajo vetë i çmonte shumë, të evokohej e kaluara e lavdishme dhe figurat si Skëndërbeu.”, tha Malltezi.  Këto mendime të saj u morën më pas nga Konica, Naimi, Sami Frashëri, etj.

Në përmbyllje të Konferencës u shfaq edhe dokumentari historiko – artistik “Elena Gjika – Dora D’Istria, pararendëse e Evropës pa kufij” realizuar nga regjizori Ëngjëll Ndocaj.
Konferenca për Dora d’Istrian kishte për qëllim të ngrinte lart një nga figurat femërore të shekullit të 19-të: Elena Gjika – Dora D’Istria (1828 – 1888), princeshë me origjinë shqiptare, patriote dhe shkrimtare që jetoi në Firence nga 1860 deri më 1888. Mendimi i saj i prerë feminist e shtyu atë të analizojë gjendjen e grave përballë ligjit civil dhe fetar dhe për të denoncuar Concordato- Konkordatin që e bënte “martesën” të parevokueshme aq sa jeta në manastir; gjithashtu teorizoi barazinë shoqërore, etj.

Ajo përkrahu nxehtësisht Rilindjen Kombëtare Shqiptare, mbajti lidhje të ngushta me veprimtarë të shquar të saj, si : Jeronim de Rada, Dhimitër Kamarda, Zef Jubani, Zef Serembe, Thimi Mitko etj. Dora d’Istria rrahu mendime për organizimin e lëvizjes kombëtare sidomos në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Konferenca e sotme u zhvilluan në kuadër të vëmëndjes që po i kushtohet figurave femërore shqiptare, që kontribuan në Pavarësinë e Shqipërisë.(LajmeShqip.com)