Lajme Shqip Wednesday, 18 May 2011 11:49

Prilep – Partia Demokratike Shqiptare PDSH të martën mbrëma mbajti tubim parazgjedhor në fshatin Debresht, komuna e Dollnenit.

Banorëve iu drejtua lideri i partisë Menduh Thaçi, bartësi i listës së pestë zgjedhore, Zijadin Sela dhe kandidatja për deputete nga ky vend Sabaheta Ajroska.

“Nuk erdhëm të bëjmë tregti me votat tuaja. Është shumë e rëndësishme që shqiptarët se në cilindo vend që jetojnë, Dollneni apo Tetovë, të bashkohen”, tha para banorëve të Debreshtit, Thaçi. Kryetari i PDSH, Thaçi mes të tjerave madje sugjeroi banorët e Debreshtit se problemet tyre nuk zgjidhen me premtime. Sipas tij së shpejti duhet të bëhet edhe kompromis për emrin.

“Shteti do të jetë anëtare e NATO-s, atëherë do të kemi investime nga Shqipëria, Turqia dhe Kosova. Ata atëherë nuk do të kenë treg më të mirë se ky, i Maqedonisë. Kështu është zhvillimi i drejtë për zgjidhjen e problemeve tona ekonomike dhe sociale”, ka shtuar më tej Thaçi. Ai i kërkoi votat e banorëve të Debreshtit dhe të Dollnenit më 5 qershor. Të pranishmëve iu drejtua edhe bartësi i listës së PDSH-së nga njësia zgjedhore pesë, Zejadin Sela, i cili premtoi se PDSH-ja çdoherë do të jetë në dispozicion të banorëve për problemet e tyre.