Lajme Shqip Thursday, 26 May 2011 13:02

Prilep – Bashkimi Demokratik për Integrim mbrëmë ka vizituar fshatrat e komunës së Dollnenit dhe të Krushevës, ndërsa tubimin qendror e ka zhvilluar në Dollnen.

Lideri i BDI-së ka folur për rëndësinë e madhe të zhvillimit të këtyre viseve shqiptare dhe nevojën e bashkimit të të gjithë shqiptarëve në mes vete si dhe bashkimin e turqve e të boshnjakëve me shqiptarët për të qenë të barabartë dhe të rëndësishëm në vendin e tyre.

Lideri i BDI-së foli për angazhimin e BDI-së për qytetarët e komunës së Dollnenit, Krushevës dhe të Pllasnicës.

“Unë, sa herë që kam ardhur këtu, gjithmonë kam ardhur me zyrtar të lartë të institucioneve, që ju ta ndjeni se ne kujdesemi për ju, se institucionet kujdesen për ju. Në vijmë këtu për ti respektuar vëllezërit tanë, pasi përkrahja institucionale kërkon respektimin e të drejtave të të gjithëve”, ka thënë Ahmeti para banorëve të Dollnenit, duke shtuar se për këtë punon BDI-ja.

Lideri i BDI-së Ali Ahmeti, duke folur për të ardhmen e shqiptarëve tha se, sot, patriotizëm është të zhvillosh vendin, të arsimosh të rinjtë dhe të krijosh jetë të mirë për të gjithë.

“Nga unë mos pritni të bëj patriotizma në foltore, sepse kam konstatuar dhe konstatoj se sot patriotizëm është të punosh për shqiptarët, burrëri dhe trimëri është të mbash fjalën që ke dhënë. Kur ishte koha e trimërive për kombin jo që kemi tundur gurët nga vendi, por kemi shembur malet e Korabit të Sharrit”, deklaroi kreu i partisë.

Ahmeti u bëri thirrje të pranishmëve që shqiptarët, turqit, boshnjakët dhe të tjerët t’i përkrahin njerëzit që çojnë proceset përpara, njerëzit e guximit, të dijes, ngërzit e së ardhmes. Ai njëherit u ka bërë thirrje banorëve të Dollnenit që të mos e shpërndajnë votën, pasi vota e shpërndarë nuk i ndihmon askujt. Për këtë arsye vlerësoi Ahmeti, koncentroni votën për BDI-në sepse BDI-ja është forca që materializon qëllimet e juaja, forca që u del Zot kërkesave tuaja.

Në komunën e Dollnenit ka folur edhe sekretari i përgjithshëm i BDI-së, njëherit edhe shef i shtabit zgjedhor, Abdilaqim Ademi i cili ka bërë thirrje që banorët e kësaj ane të drejtojnë votën te BDI-ja dhe jo te partitë që kanë vetëm fjalë boshe.

“Ne ju kërkojmë votën që t’i realizojmë të gjitha këto, të gjitha qëllimet dhe idealet e shqiptarëve dhe me këtë rast ju apeloj që me 5 qershor të dilni masovikisht në votime, që t’i bëjmë realitet qëllimet tona të përbashkëta”, ka thënë Ademi, sekretar i përgjithshëm i BDI-së.