Lajme Shqip Friday, 30 December 2011 16:00

Dollari amerikan mund të kalojë vitin e ardhshëm pragun e 106 lekëve dhe të tentojë drejt vlerave të reja maksimale. Sipas analizës së Departamentit të Menaxhimit të Riskut në Credins Bank për periudhën afatshkurtër, meqënëse dollari arriti të kalonte nivelin e rezistencës në rritje që kishte qënë rreth 106 lekë, atëherë  teknikisht korrigjimi i kursit do të mund të vazhdojë më tej.

Megjithatë, ecuria e historike e kursit mes dollarit dhe lekut ka provuar një luhatshmëri të lartë dhe një varësi të fortë nga kursi mes euros dhe dollarit. Kur dollari forcohet ndaj euros, ky forcim reflektohet edhe ndaj lekut. Përkundrazi, kur monedha e gjelbër dobësohet ndaj monedhës evropiane, ky dobësim reflektohet pothuajse në masë përpjestimore edhe në kursin me lekun.

Gjatë këtij viti, dollari ka pasur luhatshmëri të lartë, i ndikuar si nga faktorët e jashtëm, ashtu dhe nga ata të brendshëm. Në Janar të vitit 2011 kursi ishte në 104 lek dhe pasi kapi nivelin më të lartë të vitit në 107 lek më 10 Janar, pësoi një rënie të fortë për 5 muaj në 95.7 lek me 10.5%.

Ndërkohë,  nga fundi i Gushtit deri në Tetor, dollari arriti të rimarrë përsëri fitimet e mëparshme deri në 106.4 lek, me 9.8%. Pas luhatjeve të forta gjatë muajve të fundit, kursi dollar-lek ka arritur në nivelet e fillimit vitit, me një rritje prej 1.26%.