Tiranë- Operatorët ekonomikë në Republikën e Shqipërisë, duhet të pajisen me një numër EORI, përpara se të angazhohen në aktivitet import-eksporti në Bashkimin Europian.
Pajisja me një numër EORI përpara kryerjes së aktiviteteve doganore në BE, sipas ekspertëve doganore, lehtëson procesin e zhdoganimit, parandalon bllokimin e deklaratës doganore, si dhe ndihmon operatorët ekonomike në një sërë procesesh të tjera që kanë lidhje me veprimtarinë doganore në BE.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave bën të ditur se “numri EORI” nuk është parashikuar nga legjislacioni shqiptar, por është normuar nga legjislacioni komunitar dhe është i zbatueshëm në të gjitha vendet anëtare të BE-së.
Numri EORI (Regjistrimi i Operatoreve Ekonomike dhe Numri i Identifikimit) është një numër unik ne Bashkimin Europian, i dhënë nga një nga Autoritetet e shteteve anëtare të BE-së, me qëllim kryerjen e aktivitetit të import – eksportit në BE.
Në këtë kontekst, për t’u pajisur me një numër EORI, operatorët ekonomikë shqiptare duhen t’i paraqesin një kërkesë të vetme autoritetit kompetent të shtetit anëtar ku operatori kryen aktivitet import – eksporti, dhe në vijim ky numër njihet dhe pranohet nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së. (LajmeShqip.com)
Monday, 09 January 2012 20:30