Lajme Shqip Wednesday, 21 December 2011 09:00

Prishtinë- Drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës z. Naim Huruglica dhe z. Valdrin Lluka Kryeshef Ekzekutiv i APIK nënshkruan dje memorandumin e bashkëpunimit.

Ky memorandum është marrëveshje për bashkëpunim në mes të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, respektivisht Agjencisë për Promovimin e Investimeve në Kosovë (APIK) dhe Doganës së Kosovës, ashtu që të dy palët të ndihmojnë në tërheqjen dhe në rritjen e investimet e të huaja në Kosovë.

Sipas këtij memorandumi Dogana e Kosovës pajtohet që të ndihmojë MTI/APIK me ndarjen e të dhënave të ndryshme që mund të ndihmojnë për një promovim më të mirë të investimeve në Kosovë.

Gjithashtu sipas këtij memorandumi një ekspert i doganës do të angazhohet në APIK me qëllim të ofrimit të  asistencës në zgjidhjen e problemeve të investitorëve që operojnë në Kosovë dhe atyre potencial. Qëllimi i një eksperti të tillë të caktuar nga Dogana e Kosovës është që të ketë informata të sakta rreth importit të pajisjeve, eksportit të produkteve, depove doganore, etj.

Në kuadër të krijimit të lehtësirave për biznesin në Kosovës,  Dogana e Kosovës ka thjeshtësuar procedura administrative doganore të cilat  do te ndikojë ne efikasitetin e punës se Doganës po ashtu edhe për subjektet e afarizmit te tregtisë se jashtme. Thjeshtësimi i procedurave nënkupton zvogëlimin e numrit të dokumenteve të cilat kompanitë duhet të prezantojnë në rast të importit.

Dokumentet qe tani e tutje duhet bashkangjitur deklaratës doganore dhe qe janë te obligueshme tanimë janë fatura dhe deklarata eksportuese. Pra në total janë eliminuar 4 dokumente.  Ky veprim do të zvogëlojë kohën e pritjeve dhe do të shpejtoj procedurat në import–eksport. (LajmeShqip.com)