Pas shumë dekadash qëndrimi në bodrum, Galeria e Arteve të Kosovës ka dixhitalizuar fondin e saj të veprave artistike.
Kjo është bërë këtë javë dhe të gjitha veprat janë dixhitalizuar dhe ngarkuar në sajtin zyrtar të Galerisë. Të gjitha veprat mund të shihen në këtë sajt dhe se për secilin ekziston përshkrimi dhe autori se kush e ka bërë.
Mediat kosovare kanë dhjetë vjet që raportojnë për gjendjen e vështirë të koleksionit të veprave të Galerisë së Arteve të Kosovës. Të gjithë drejtorët e këtij institucioni e kishin pranuar se fondi i veprave është në rrezik dhe se disa prej tyre kanë nisur edhe të dëmtohen. Edhe drejtori i tanishëm, i GAK-ut, Erzen Shkololli, kishte pranuar se koleksioni i Galerisë është në rrezik dhe se nevojitet ndërhyrje emergjente.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Kosovë nuk ka ndarë as sivjet ndonjë buxhet të veçantë për këtë problem. Por, deri sa të gjendet një zgjidhje, duket sikur Galeria e Arteve ka gjetur një mënyrë që këto vepra të koleksionit të saj së paku të kenë mundësi të shijohen nga adhuruesit e artit pamor. Qindra vepra gjenden në këtë koleksion dhe janë punime të artistëve të ndryshëm që nga koha e ish-Jugosllavisë e deri tek këto moderne.
Friday, 06 January 2012 09:17 