Tiranë – Dixhitalizimi i Arkivës Gjyqësore është një nga projektet kryesore të ministrisë së Drejtësisë, në funksion të planit të saj për reformimin e sistemit të drejtësisë.
Ky projekt, synon dixhitalizimin e të gjithë Arkivës Gjyqësore, për të patur mundësi ruajtjen dhe përdorimin e kësaj pasurie kombëtare me vlera shkencore dhe historike.
Përfaqësues të ministrisë së Drejtësisë pohojnë se krijimi i arkivës dixhitale do të ofrojë mundësinë e aksesit informatik për arsye ligjore, politike, ekonomike, historike, shoqërore apo kulturore, duke regjistruar kështu historikun e progresit të gjykatave.
Ndërkohë, sigurimi i aksesit në arkivën gjyqësore do të rriste edhe transparencën publike të institucionit.
Arkivat dixhitale janë tashmë një komponent thelbësor i infrastrukturës se informacionit. Projektet kërkimore nuk mund të imagjinohen pa përdorimin e teknologjive të avancuara në mënyrë që të menaxhohet dhe të përdoret informacioni dixhital.
Edhe pse dixhitalizimi ka vështirësitë e veta për ruajtjen e informacionit ai ofron një akses shume më të mirë të materialeve arkivore, të cilat në përgjithësi janë të limituara si pasojë e volumit të madh të grumbulluar si dhe te kohës se madhe që duhet për të kërkuar.
Masa e madhe e informacionit shkresor letër e akumuluar në 70 vite e bën të vështirë dhe gati të pamundur shfrytëzimin e arkivës gjyqësore.
Wednesday, 09 November 2011 14:50