Tiranë – Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një sërë hapash dhe do të luajë një rol të rëndësishëm, në bashkëpunim me delegacionin e KE, me partnerët, presidencën evropiane, jo vetëm në përkujtimin e ditës së shënuar të 9 majit, Ditës së Europës, por në vazhdimësi, për të thelluar më tej bashkëpunimin thelbësor me BE-në në të gjitha fushat, me synim zhvillimin ekonomik të kryeqytetit.
Kryebashkiaku Lulzim Basha e konsideroi muajin maj të rëndësishëm për Tiranën, pasi është muaji evropian, i cili përkon edhe me 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.
Në këtë muaj të Europës, sipas Bashës, do të hidhet një hap domethënës përpara si: prezantimi para grupit strategjik dhe publikut të draftplanit urbanistik dhe përfundimin e procesit të konkurrimit për bulevardin e ri dhe lumit të Tiranës.
“Në Tiranë presin investitorë nga e gjithë bota. Sot nis një panair teknologjik, me praninë e investitorëve të rëndësishëm që vijnë nga larg dhe kështu vazhdon ky muaj me projekte të mëdha, me shpalosjen e planit urbanistik, me zgjatimin e bulevardit të ri, që do të dyfishojë gjatësinë e këtij ekzistuesi, do të dyfishojë standardin për qytetarët dhe sfidat e zhvillimit tonë. Sot ne vrapojmë të lirë në të gjithë zonën Shengen pa viza, si qytetarë evropian të barabartë me qytetarët e tjerë dhe kështu po njohim, po përjetojmë standardin evropian anembanë Evropës. Sot e kemi më të lehtë të kuptojmë se çfarë sfidash na presin që këtë standard evropian ta bëjmë realitet të përditshëm për çdo qytetar dhe këtu duhet t’i përqendrojmë energjitë tona pozitive, optimizmin tonë, në arritjen e standardit në shkollat tona, rrugët, cilësinë e jetës dhe në mundësitë që do t’u ofrojmë qytetarëve , të rinjve për mirëqenie, nëpërmjet punësimit, zhvillimit ekonomik”, u shpreh Basha.
Sot në Ditën e Evropës, në Shqipëri, ashtu si edhe në të gjithë vendet e Bashkimit Evropian dhe në Kosovë, po zhvillohen aktivitete të shumta, që kanë për qëllim që koncepti i Evropës t’u afrohet qytetarëve.
Kjo ditë në kryeqytet nisi të festohet me aktivitetin “Vrapo drejt Evropës”, ku mori pjesë Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, Ambasadori i Bashkimit Evropian, Ettore Sequi, ambasadorë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe qytetarë të Tiranës, të cilët ndoqën garën me biçikleta në drejtim të sheshit “Nënë Tereza” dhe një garë vrapimi.
Wednesday, 09 May 2012 10:30