TIRANË – Strukturat shëndetësore apeluan për më tepër kujdes dhe diagnostikimin në kohë për parandalimin e sëmundjeve tumorale. Ndërkohë, më të shpeshta në vendin tonë janë kanceri i gjirit tek femrat dhe ai i mushkërive, që prek të dy gjinitë, femrat dhe meshkujt.
Në Ditën Botërore të Luftës kundër Kancerit, ministri i Shëndetësisë,Vangjel Tavo vuri në dukje se kapacitetet diagnostikuese imazherike janë forcuar ndjeshëm, jo vetëm në spitalet universitare, por edhe në spitalet rajonale.
“Kanceri mund t’i prekë të gjithë, të rinj dhe të vjetër, të pasur dhe të varfër, burra, gra, fëmijë dhe paraqet një barrë të madhe për pacientët, familjet dhe shoqërinë. Në popullatën shqiptare hasen çdo vit raste të reja me kancer, duke prekur më së shumti gjirin tek femrat dhe mushkëritë tek meshkujt dhe tek femrat”, tha Tavo, gjatë një takimi në kuadër të kësaj dite.
Kanceri, sipas tij, nuk është fatalitet apo dënim me vdekje. “Shumë tumore që janë konsideruar dikur të pashërueshëm tani mund të parandalohen, apo shërohen. Tashmë 80 % e tumoreve të qafës së mitrës mund të parandalohen përmes vaksinimit ndaj Papilomavirusit Human, sikurse një pjesë e konsiderueshme e kancerit të mëlcisë është duke u parandaluar përmes vaksinimit ndaj Hepatitit B”, tha ministri i Shëndetësisë.
Një përqindje e madhe e vdekjeve nga kanceri mund të parandalohet, duke ndryshuar apo shmangur faktorët kryesorë të rrezikut si psh përdorimin e duhanit, mbipeshën apo obezitetin, dietat jo të shëndetshme dhe konsumin e ulët me fruta dhe perime, mungesën e aktivitetit fizik, përdorimin abuziv të alkoolit, sjelljet seksuale të rrezikshme, etj.
Duke u ndalur tek kanceret që prekin femrat, Tavo tha se “është fakt që depistimi i grave përmes metodës ‘Pap test’, mund të pakësojë nivelin e hasjes së rasteve të reja dhe të vdekjeve nga kanceri i qafës së mitrës. Eshtë gjithashtu fakt, që depistimi i rregullt i grave përmes vetë-ekzaminimit të gjirit, ekzaminimit klinik të tij dhe më pas diagnozës së hershme përmes mamografisë, pakëson nivelin e vdekshmërisë nga kanceri i gjirit”.
Tavo vuri theksin tek kontrollet e rregullta, pa pasur asnjë shenjë të ndonjë sëmundjeje, për depistim, teste dhe kontrolle periodike, me qëllim kapjen në kohë të tyre. Të gjithë mjekët dhe infermierët në sistemin shëndetësor, sipas tij, janë udhëzuar dhe trajnuar për depistimin e kancerit të gjirit, sipas protokolleve standarde, ndërkohë që aparate të mamografisë janë instaluar në spitale dhe poliklinika.
MSH ka hartuar planin strategjik kombëtar për depistimin e kancerit të qafës së mitrës. Ndërsa për vitin 2013, do të vijohet me krijimin e kapaciteve të duhura njerëzore dhe laboratorike për lancimin e depistimit të kancerit të qafës së mitrës.
Sa i takon kujdesit paliativ, onkologë, kirurgë, radiologë, anatomo-patologë dhe specialistë të kujdesit paliativ janë trajnuar në vitet e fundit në klinikat më të mira të Europës. Dy akseleratorë linearë të teknologjisë bashkëkohore për trajtimin e kancerit janë në proces instalimi në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Me ndihmën e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, mjekësia nukleare është ringritur duke mundësuar edhe diagnozë edhe trajtim të kancerit të tiroides.
Ndërkohë, risi në këtë drejtim është hartimi i një projektligji të posacëm, në themel të të cilit është mbrojtja e dinjitetit dhe autonomisë së pacientit pa asnjë paragjykim dhe diskriminim, mbrojtja dhe promovimi i cilësisë së jetës deri në fund të saj, sigurimi i një jetese pa dhimbje deri në fund të saj.
Kujdesi paliativ parashikohet të ofrohet përmes shërbimit në kujdesin shëndetësor parësor, hospisit në banesë, hospisit ditor, hospisit me shtretër, shërbimeve në institucionet spitalore dhe shërbimeve vullnetare në nivel komunitar.(LajmeShqip.com)
|
|
Monday, 04 February 2013 13:25