Lajme Shqip Saturday, 21 January 2012 17:30

Si shumica e nënave të punësuara, me siguri ju ka ndodhur edhe juve ndonjëherë të mendoni se si do të ishte sikur të kishit qënë mashkull, ose së paku ta keni një ndihmesë në shtëpi e cila pa problem do t’i organizonte punët tuaja të shtëpisë; të hekuroste rrobat, të zgjidhte problemet me fëmijët tuaj, të kryente pazarin për shtëpinë, paguante faturat mujore dhe të bënte darkën. Mendoni fatin dhe lehtësimin që do të kishit ndjerë kur nuk ju duhet të bëni të gjitha këto punë! Atëherë do të mund të shtriheni në shtrat, apo rehatoheni në kolltuk, dhe të hulumtonit në internet, të lexonit librin apo revistën tuaj të preferuar, ose thjeshtë ta kalonit kohën me shoqet apo bashkëshortin.

Detyrimet prindërore janë detyrime të bukura. Dhe nuk ka asgjë të keqe dhe më të ëmbël sesa kujdesi ndaj fëmijës tënd, por nuk mund ta fshehim faktin se kjo është punë që kërkon kohë dhe energji. Ja disa këshilla që do t’ju ndihmojnë në momente të vështira dhe dëshpëruese.

1. Vini veten në krye të listës së prioriteteve

Bëhuni prioritet i vetvetes edhe atëherë kur jeni të sigurta se nuk keni aspak kohë. Nënat e  punësuara dhe të suksesshme kanë mësuar se si duhet të ndajnë pak kohë për vete. Nëse nuk jeni të kënaqura nuk do të jeni të lumtura. Fëmijët tuaj, sikurse edhe bashkëshorti juaj, me siguri e duan më shumë nënën e lumtur dhe shtëpinë e parregulluar, sesa të kundërtën!

2. Çdokujt i nevojitet përqafimi

Kërkoni nga bashkëshorti juaj t’ju përqafoj dhe ndani një moment bashkë ku të kujtoni se sa të lumtura jeni që jeni nënë. Edhe kur të keni ditë të vështirë në punë, fëmija juaj ka marrë notë të dobët në shkollë dhe bashkëshorti nuk ju ka ndihmuar në punët e shtëpisë, kujtoni se sa lumturi ju sjellë familja juaj. Mos i thoni për t’ju përqafuar, por, gjejeni ju mënyrën se si ta përqafoni atë, si t’i krijoni ndjenjën e afërsisë dhe të tërheqjes me sjellje, qetësi dhe dashuri e respekt.

3. Mendoni për rëndësinë e punës suaj

Hulumtimet tregojnë se femrat punojnë për arsye të ndryshme dhe nuk është gjithmonë dobia financiare apo situata ekonomike ajo që e shtyn femrën të punësohet por, është nevoja për pavarësi, status shoqëror dhe kontakte të tjera sociale. Femrat gjejnë kuptim dhe sfida në zhvillimin e karrierës së tyre dhe kjo gjë ju sjell kënaqësi edhe meshkujve.

4. Ndani kohë të festoni çdo sukses

Shumica e nënave të punësuara përmes suksesit në punë zbusin të gjitha streset e jetës dhe kështu mbajnë qëndrim pozitiv. Mos harroni të ndani kohë të festoni çdo sukses të cilën e arrini dhe lejoni që kjo ndjenjë t’ju pushtojë, sepse ju ndihmon të vazhdoni më tej me këtë ndjesi. Kushtojini rëndësi të veçantë partnerit dhe falënderojeni atë për mirëkuptimin dhe mirësjelljen që tregon për ju.

5. Mësoni si të arrini suksesin

Nga të gjitha mekanizmat të cilat nënat e punësuara i shfrytëzojnë, arma më e fuqishme është gatishmëria që të mos presin të jenë të përsosura. Superfemrat dhe super heronjtë nuk ekzistojnë në jetën e përditshme. Prandaj mos ngurroni që t’i lëshoni standardet e mirëmbajtjes së shtëpisë, sepse askush përveç jush nuk do të tronditet nëse dyshemeja nuk është e pastruar siç duhet, apo nëse ju ka mbetur dhoma nga darka e mbrëmjes e pa pastruar. Ndonjëherë blini drekë të gatshme dhe kaloni më shumë kohë me familjen tuaj, ose angazhoni partnerin e jetës apo ndonjë ndihmëse t’ju ndihmoj në ndarjen e detyrimeve tuaja nëse jeni e stërngarkuar.

6. Të keni së paku një shoqe e cila do t’ju dëgjoj dhe ofroj përkrahje

Sado që të jeni të organizuara, ndodh që ndonjëherë të keni nevojë t’i rrëfeheni dikujt. Thërrisni shoqen, rrëfehuni për problemet që ju mundojnë, kaloni një pasdite të këndshme duke pirë së bashku kafe. Bëni kujdes me shoqen, duke mos rrëfyer tërë sekretet, problemet apo ankesat. Veçanërisht mos i tregoni gjithçka për partnerin, mos e ofendoni partnerin as tek shoqja më e ngushtë! Si do që të mundeni, lirohuni nga ndjenjat e këqija dhe vazhdoni më tutje. (LajmeShqip.com)