Lajme Shqip Thursday, 23 February 2012 18:27

Tiranë- Diplomacia Dixhitale është mënyra më e re që Ministria e Punëve të Jashtme ka vendosur të adaptojë për të qenë sa më afër dhe në transparencë të plotë me qytetarët shqiptarë.

Diplomacia dixhitale është një mjet i ri për të sjellë sa më pranë qytetarëve diplomacinë publike, si dhe një rrugë e mënyrë e re për të bërë diplomaci në erën e Internetit dhe të medias sociale.

Synimi i diplomacisë dixhitale është afrimi me qytetarin kudo që ai ndodhet në botën globale, angazhimi për t’iu përgjigjur sa më shpejt e sa më mirë nevojave të tij, dhe e fundit, por jo për nga rëndësia, për t’i bërë ata të ndjehen realisht pjesë e aksionit dhe vendimarrjes në politikën e jashtme të vendit të tij.

Për të arritur këto qëllime, Ministria e Jashtme ka përshtatur e bërë të vetat mënyrat moderne të komunikimit si tëitter, facebook, youtube, blog etj. Në këtë mënyrë, çdo lajm, informacion, apo reagim i Ministrisë së Punëve të Jashtme do jetë në kohë reale në telefonat tuaj celularë, ose në adresat tuaja të postës elektronike.

Me opinionet ose komentet e qytetarëve, ata shndërrohen në pjesë aktive të veprimtarisë diplomatike të MPJ-së, duke ndikuar në përmirësimin e performancës publike të trupit diplomatik shqiptar dhe për rrjedhojë jani në gjendje të ndikojnë në përmirësimin e punës sonë të përditshme në funksion e shërbim të vendit e të qytetarëve.

Veç përqafimit të diplomacisë dixhitale, Ministria e Jashtme sjell dhe tre rubrika të reja, 100 Vjetori i Pavarësisë, ku do të publikohen gjithë aktivitetet e MPJ dhe të ambasadave shqiptare në botë në këtë jubile, Presidenca Shqiptare e KiE, maj-nëntor 2012, ku do paraqiten gjithë aktivitetet për këtë kryesim historik të Shqipërisë të një organizate si KiE, si dhe “Shpenzimet buxhetore” ku në kuadrin e transparencës, do të publikohen gjithë shpenzimet dhe kostot e këtij dikasteri.