Lajme Shqip Thursday, 29 December 2011 17:58

Athinë- Ministrat e punëve të jashtme të Greqisë dhe Turqisë, Stavros Dimas dhe Ahmet Davutogllu biseduan për raportet sipas të cilave, Turqia me qëllim ka shkaktuar zjarre në ishujt greke në mesin e viteve të 90-ta nga shekulli i kaluar.

Ish kryeministri i Turqisë Mesut Jillmaz ngriti në Athinë bujë  pasi që për gazetën e Stambollit tha se Qeveria në Ankara ka qenë e përzier në zjarrëvënien e qëllimshme në ishujt greke në mesin e viteve të 90-ta.

Ky pohim shkaktoi reagim të ashpër në Greqi, përderisa Jillmazi në deklaratë të re tha se “gazetari gabimisht e ka cituar që të shkaktojë senzacion”.

Shefi i diplomacisë greke Dimas në bisedë telefonike me kolegun e Turqisë kërkoi që Ankaraja “zyrtarisht ta hulumtojë këtë rast” kumtoi MPJ-ja e Greqisë.

“Në të kundërtën, këto të dhëna do ta rrezikojnë ndërtimin e masave të besimit mes dy shteteve fqinje”, paralajmëroi ai. Kryeprokurori i Greqisë ngriti hetim që të konfirmohet nëse zjarret e shumta në atë kohë me të vërtetë kanë qenë të shkaktuara dhe nëse përgjegjës për to janë shërbimet speciale turke siç publikoi gazeta e Stambollit.